“FNSH-ja e 18-ta në botë”, avokati Hoxha: Është e qëllimshme, ja pse nuk nxjerrin personat e duhur në protestë

Avokati Arbër Hoxha ka reaguar ashpër në Vizion Plus ndaj mënyrës se si Policia e Shtetit ka vepruar gjatë protestave të fundit, duke kritikuar dhunën ndaj protestuesve të neutralizuar dhe duke kërkuar llogaridhënie për efektivët e përfshirë në incidente.
Sipas Hoxhës, forcat Shqiponja dhe Policia e Rendit nuk duhet të veprojnë në mënyrë të tillë, duke theksuar se goditja e një personi të neutralizuar nuk është më ndërhyrje për vendosjen e rendit, por mund të përbëjë hakmarrje personale.
“Punonjësit e Policisë së Shtetit nuk e meritojnë as edhe një sekondë të jenë policë, për sa kohë që godasin një person të shtrirë në tokë”, u shpreh avokati.
Hoxha komentoi edhe pozicionimin e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), duke theksuar se fakti që ato kanë zënë vendin e 18-të në botë nuk do të thotë domosdoshmërisht se efektivët janë të trajnuar siç duhet. Sipas tij, përzgjedhja e personave të duhur është thelbësore dhe dhuna e panevojshme ndaj qytetarëve nuk mund të justifikohet.
“FNSH-ja ka zënë vendin e 18-të në botë. Kjo nuk do të thotë që jemi të trajnuar. Kjo do të thotë që nuk kanë nxjerrë personat e duhur atje. Këtë e kanë bërë me qëllim, për të ushtruar atë dhunë të panevojshme“, thot avokati.
/vizionplus.tv




