Pensionistët dhe familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike janë dy grupet që mund të ndihmohen nga qeveria me masa mbështetëse financiare, nëse rritja e çmimeve përshkallëzohet.
“Nga ana e qeverisë, jemi duke e monitoruar në mënyrë të vazhdueshme situatën, si do të reagojë tregu për rritjen e çmimeve. Rekomandimet e BB dhe të FMN janë të tilla që reagimet e qeverive duhet të orientohen si fillim drejt grupeve vulnerablë, pensionistët dhe familjet me ndihmë ekonomike.
Çdo masë që do të marrim për të ndërhyrë në treg, do të jetë e rakorduar me partnerët tanë.
Akti normativ do të jetë në diskutim në gjashtëmujorin e dytë të këtij viti. Në momentin që do të përgatisim aktin normativ, do të mbajmë në konsideratë edhe efektet e krizës, nëse do të vazhdojë, te shtresat në nevojë. Në varësi të vlerësimit, do të marrim edhe masat përkatëse”, tha Petrit Malaj, ministër i Financave.
Qeveria iu ktheu një përgjigje edhe shoqatave të biznesit që pak ditë më parë kërkuan nga ose ndërhyrje në taksa, ose subvencionim për të përballuar situatën e krijuar për shkak të çmimit të naftës.
“Rekomandimet nga FMN dhe BB vijnë që ndihma që jep qeveria duhet të jetë te shtresat në nevojë, përpara se të fillojmë të ndihmojmë sektorë specifikë brenda ekonomisë shqiptare”, shtoi Malaj.
Ministri Malaj shpjegoi edhe çfarë po ndodh me bastet sportive online, të cilat për momentin janë të ligjshme vetëm në letër, edhe pse rikthimi i tyre u miratua në Parlament në 2024.
“Kanë mbetur edhe dy akte nënligjore që po i bashkërendojmë me Ministrinë e Drejtësisë, më pas do të vijohet me licencimin e opëeratorëve për të ofruar në mënyrë të ligjshme pjesën e basteve online”, tha Malaj.
Gjatë ditëve në vijim, qeveria do të prezantojë edhe programin “Dyfisho biznesin tënd”, që përmban një garanci sovrane për bizneset që duan të investojnë në teknologji apo në arritjen e standardeve europiane.





