Në përfundim të mbledhjes së qeverisë, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Mirela Kumbaro, njoftoi miratimin e aktit të 12 nënligjor në zbatim të ligjit për shkencën në Republikën e Shqipërisë.
Sipas saj, ky vendim përbën një hap të rëndësishëm për organizimin e institucioneve të kërkimit shkencor dhe përafrimin e tyre me direktivat dhe rregulloret e Bashkimit Evropian dhe Komisionit Europian.
Kumbaro theksoi gjithashtu se ky akt përmbyll detyrimet e Shqipërisë në kuadër të kapitullit 25 të negociatave me BE-në, që lidhet me kërkimin shkencor, si dhe nënvizoi se buxheti për këtë sektor është trefishuar krahasuar me vitin 2022.
Kumbaro: Mbyllëm sot me VKM aktin e 12 nënligjor në zbatim të ligjit për Shkencën në Republikën e Shqipërisë të vitit 2024, që është një akt shumë i rëndësishëm për organizmin e institucioneve dhe kërkimit shkencor në përgjithësi në përputhje me direktivat dhe rregulloret Bashkimit Evropian dhe të Komisionit Europian.
Bëjmë dhe veprimin e fundit ligjor për detyrimet që kemi për kapitullin 25, është kapitulli për kërkimi shkencor. Kapitull që po punohet prej disa vitesh. Ju jep lehtësi kërkueseve shkencorë. Krahasuar me vitin 2022, e kemi trefishuar buxhetin e kërkimit shkencor.
Ministrja Kumbaro u ndal edhe te projektet pas shkolle dhe gjithë programet e tjera për nxënësit.
Kumbaro: Janë projekte kanë 10 vjet që zhvillohen në formate të ndryshme. Në shkolla ku janë bërë investime të rëndësishme, të jenë të hapura edhe aktivitetet pas mbarimit të mësimit. Gjithë paketa e aktiviteteve që shoqërojnë jetën edukative të nxënësve. Do të shtojmë edhe Olimpiadën e Gjuhëve të Huaja. Shkollat do të pajisen me hapësira për të konsumuar ushqim.





