Nga Blerina Cene
Zhvatja e qytetarëve europianë përmes skemave të call centerave nuk është më një fenomen sporadik. Goditja e pak ditëve më parë na tregoi se autorët duke u paraqitur si agjentë financiarë kanë përfituar mbi 50 milionë euro. Por cilët janë indikatorët që një person ka rënë pre e një shoqërie fantazmë?
“Asnjëherë ti nuk mund të fitosh në një kohë shumë të shkurtër para. Kushdo që ty të merr në telefon me një ndjesi urgjence që hidhi sot apo investoji sot se për dy ditë do të të bëhen dyfish apo për tre ditë do të të bëhen trefish kjo është një ndër alarmet kryesore, një flamur i kuq i parë. Gjenerimi i këtyre numrave… merren edhe nga personat që kanë prirjen për të dashur që të fitojnë, në momentin që ata futen në një rrjet social ku ka reklama të ndryshme, “Fito menjëherë” apo “Ti mund të fitosh më shumë” dhe i klikojnë, ti kupton se ai është i predispozuar psikologjikisht për të luajtur në këto skema sepse do një fitim shumë të shkurtër”, thotë ekspertja e IT-së, Denise Kele.
Me qindra njerëz thotë ekspertja mashtrohen çdo ditë ndërsa vë re se janë moshat mbi 50 vjeç ata që më së shumti bien në grackë për shkak të padijes financiare. Por sa është probabiliteti që paratë merren mbrapsht dhe si funksionon skema?
“Nëse ata investuan 500 euro në momentin e parë kishin një mundësi të merrnin 1000 euro mbrapsht, duke qenë që natyra njerëzore është patjetër ambicioze, ajo ambicia nuk i la që ato para t’i merrnin, por i ri-ivenstuan përsëri. Në momentin që ti i ri-investon përsëri, probabiliteti që t’i marrësh mbrapsht është zero. Është një platformë, demo, që organizatorët që janë pas mund të luajnë me numrat ashtu siç dëshirojnë ata dhe ty të prezantojnë një fitim, që është fitim i rremë. Pra, që paratë e tua po rriten nga 300 që ti investove, në 600, në 900, por këto para nuk i merr kurrë”, thotë Denise Kele.
Paratë që pretendohet se janë investuar në këtë mënyrë, bëhen plotësisht të pagjurmueshme përmes parajsave fiskale.
“Paratë e tyre i kanë depozituar me karta krediti, pra me llogari bankare dhe më pas kalojnë me bankat e krijuara po nga këta organizatorë, që kanë bankat e krijuara në Qipro, në Maltë apo vende të tjera off- shore. Edhe kriptovalutat janë përdorur si një lloj skeme që të gjithë këta persona që po invenstonin të përdorinin kripto për t’i bërë investimet”, thotë ekspertja Kele.
Ndryshimi rrënjësor mes një kompanie që mashtron dhe një tjetre serioze, që në thelb ka vërtet konsulencën financiare, është që në rastin e parë është agjenti që të kontakton, ndërsa në rastin e dytë është investitori që kontakton broker-in.





