Në 50 ditë luftë në Lindjen e Mesme, tregu global i energjisë ka humbur mbi 50 miliardë dollarë në vlerë nafte.
Që me nisjen e luftës, tregu ka pësuar luhatje të herëpashershme, duke ndikuar në përkeqësimin e situatës dhe duke u ndjerë ndjeshëm në ekonomi.
Konflikti ka ndërprerë prodhimin dhe eksportin në një nga rajonet më të rëndësishme për furnizimin botëror, ndërsa Ngushtica e Hormuzit, një çelës që mund t’i japë frymëmarrje situatës, vijon të jetë e mbyllur.
Në periudha të caktuara, kalimi i anijeve u kufizua ndjeshëm, duke krijuar frikë për mungesa dhe duke rritur tensionin në tregjet ndërkombëtare.
Gjatë kësaj periudhe, më shumë se 500 milionë fuçi naftë nuk kanë arritur në treg, raporton Reuters. Kjo ka ndodhur kryesisht për shkak të dëmtimeve në infrastrukturën e naftës, si puse, rafineri dhe linja transporti.
Si pasojë, prodhimi i përditshëm i naftës në rajon ra ndjeshëm, në disa raste deri në 12 milionë fuçi në ditë më pak, gjë që u reflektua drejtpërdrejt në çmimet globale dhe në furnizimin me energji për shumë vende.
Në përgjithësi, kjo krizë tregon se sa e ndjeshme është ekonomia globale ndaj konflikteve në rajonet kyçe të prodhimit të energjisë dhe se pasojat mund të zgjasin shumë kohë edhe pasi luftimet të ndalen.
/vizionplus.tv





