Për kompaninë ERZENI, viti 2026 konsiderohet si viti i investimeve të mëdha.
Pas dy fabrikave në Berat dhe Vlorë, kompania vjen me një investim të ri një fabrikë e re vetëm për prodhimin e djathit, po në qytetin e Beratit.
Administratori i Përgjithshëm i kompanisë Erzen Begaj, i ftuar në emisioni E-ZONE u ndal tek investimet, që si fokus kanë të afrojnë më shumë me konsumatorin.
“Ne jemi gati drejt përfundimit të investimit tonë më të ri, një fabrikë vetëm për prodhimin e djathit. Flasim për një investim prej 7 milion euro ku do të jetë teknologjia më e fundit që do të zbatohet. Duam ti qëndrojmë besnikë konsumatorëve tanë, me standardet me të larta të nevojshme. Por jo vetëm ne jemi në proces edhe të rinovimit të flotës së automjeteve që përdorin në aktivitetin tonë. Për të balancuar kostot që rriten çdo ditë, ne kemi investuar në panele fotovoltaike dhe paralelisht kemi futur në treg mjete tërësisht elektrike, një investim që po arrin në 700 mijë euro dhe do të vijojë më tej”, tha Begaj gjatë intervistës në E-ZONE.
Por teksa sot të gjithë flasin për rritje kostosh dhe paralelisht edhe për rritje çmimesh, a do të ndryshojnë çmimet e produkteve “Erzeni” në treg?
“Vizioni kompanisë tonë është që të balancojmë këto kosto. Ndaj dhe investimet kanë patur këtë si qëllim. Ne mund të themi me siguri se për momentin çmimet e produkteve tona nuk do të rriten. Edhe pse kemi sinjale që plastika pritet të rritet me 20-40%, që është dhe lënda jonë kryesore. Do përpiqemi që këto kosto të mos i transmetojmë tek konsumatori”, tha Begaj.
Por kur flasim për industrinë e produkteve të bulmetit, ka gjithmonë një skepticizëm lidhur me cilësinë dhe standardin që ato ofrojnë. Por z.Begaj ka një përgjigje për skeptikët.

“Në kompaninë tonë patëm një inspektim nga një trupë inspektuese e BE- së. Ajo çfarë grupi inspektues konkludoi ishte surprizuese edhe për ne. Teknologjia që përdoret në industrinë e qumështit dhe jo vetëm, me testet që kryejmë rreth 150 në ditë për antibiotikët ishin një dëshmi se teknologjia që aplikohet nuk ka asnjë ndryshim nga ajo që zbatohet në tregun europian. Sigurisht ne nuk ndalemi këtu, pasi standardi dhe cilësia nuk kanë fund, por “Vula” që morën nga inspektimi ndërkombëtarë është një përgjigje e mirë për të gjithë skeptikët”, përfundoi Begaj.

Deri më tani kompania ERZENI numëron një total investimesh prej 27 milion euro. Një vit më parë djathi që prodhon kompania nga qumështi i deles që njihet me emrin “Amanter” u vlerësua si djathi më i mirë mes një konkursi ndërkombëtar me mbi 4000 produkte bulmeti.

/vizionplus.tv





