Tragjedia në Shëngjin, Begaj: Ngushëllime familjeve! Institucionet të marrin masat për të garantuar sigurinë në plazhe

Presidenti Bajram Begaj, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur këtë pasdite në Shëngjin, ku dy të rinj nga Kosova humbën jetën si pasojë e mbytjes në det, ndërsa tre të tjerë u shpëtuan në plazhin e “Ranës së Hedhun”.
Me një mesazh ngushëllimi, kreu i Shtetit shprehu dhimbjen e thellë për humbjen e jetës së dy të rinjve dhe solidaritetin me familjet e viktimave.
“Me hidhërim të thellë mësova për ngjarjen tragjike që u mori jetën dy të rinjve nga Kosova sot në Shëngjin. Në këto çaste të vështira, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet dhe të afërmit e viktimave, ndërsa uroj shërim sa më të shpejtë për tre shokët e tyre,” tha Begaj.
Presidenti nënvizoi se kjo tragjedi është një kujtesë e fortë për rëndësinë e kujdesit dhe respektimit të çdo mase sigurie në plazhet e vendit.
Ai bëri thirrje për angazhim maksimal të institucioneve dhe operatorëve turistikë për të garantuar sigurinë e pushuesve gjatë gjithë sezonit veror.
“Nisur nga ky rast i rëndë, ftoj institucionet qendrore dhe vendore, si edhe operatorët turistikë, të marrin të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë në plazhe gjatë gjithë sezonit veror, me qëllim parandalimin e ngjarjeve të tilla dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe vizitorëve,” u shpreh ai.




