Presidenti francez Emmanuel Macron, ka deklaruar të enjten, më 2 prill, se komentet e Donald Trump për martesën e tij nuk meritojnë përgjigje, duke i cilësuar si “as elegante dhe as në nivelin e duhur”.
Pas disa ditësh tensionesh lidhur me sulmet SHBA-Izrael ndaj Iranit dhe çështjet e NATO, një Macron dukshëm i irrituar reagoi, duke thënë se “ka shumë fjalë” dhe se “kjo nuk është një shfaqje”.
Një ditë më parë, Trump kishte bërë shaka me presidentin francez dhe bashkëshorten e tij gjatë një dreke private, ndërsa kritikonte aleatët e NATO-s që nuk iu bashkuan luftës kundër Iranit.
Ai imitoi një theks francez dhe tha se bashkëshortja e Macronit, Brigitte Macron, “e trajton shumë keq” dhe se Macron ishte ende “duke u rikuperuar nga një goditje në nofull”.
Gjatë një vizite në Seul, Macron, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, i cilësoi këto komente si “jo elegante dhe jashtë standardeve”.
“Nuk do t’u përgjigjem, nuk meritojnë përgjigje,” u tha Macron gazetarëve. Ai theksoi se fokusi duhet të jetë te puna për uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe arritja e një armëpushimi.
“Ka shumë zhurmë dhe gjithçka është e çrregullt,” tha ai, duke iu referuar edhe ndryshimeve të shpeshta të qëndrimeve politike nga ana e Trump. “Na duhet stabilitet, qetësi dhe rikthim i paqes – kjo nuk është një shfaqje!”
Komentet e Trump shkaktuan zemërim në Francë. Yaël Braun-Pivet, kryetare e Asamblesë Kombëtare, deklaroi: “Sinqerisht, kjo nuk është në nivelin e duhur. Po diskutojmë për të ardhmen e botës. Në Iran kjo po ndikon në jetën e miliona njerëzve, njerëzit po vdesin, dhe kemi një president që qesh dhe tallet me të tjerët.”
Edhe Manuel Bompard, një kritik i zakonshëm i Macronit, e mbrojti atë: “Ju e dini sa të thella janë mosmarrëveshjet e mia me presidentin, por që Donald Trump t’i flasë në atë mënyrë dhe të përmendë bashkëshorten e tij kështu, është absolutisht e papranueshme.”
Videoja dhe polemikat
Trump i bëri këto komente në një video të publikuar për pak kohë në kanalin e Shtëpisë së Bardhë në YouTube. Ai tha se kishte kërkuar ndihmë nga Franca në Gjirin Persik, por pretendoi se Macron kishte refuzuar.
Presidenti amerikan iu referua gjithashtu një videoje të majit 2025, ku dukej sikur Brigitte Macron shtynte fytyrën e presidentit gjatë një vizite në Vietnam. Macron e kishte mohuar atëherë çdo “konflikt familjar”, duke thënë se bëhej fjalë për një moment shaka mes tyre dhe duke e cilësuar videon pjesë të një fushate dezinformimi.
Trump vazhdoi të kritikojë NATO, duke e quajtur atë një “tigër prej letre” dhe duke vënë në dyshim gatishmërinë e aleancës për të vepruar në rast të një konflikti të madh.





