Pas sakrificës dhe adhurimit ndaj Zotit përmes agjërimit në muajin e shenjtë të Ramazanit, nesër besimtarët myslimanë në mbarë botën kremtojnë festën më të rëndësishme të këtij komuniteti, Fitër Bajramin, ose Bajramin e Madh. Për besimtarët kjo ditë shënon shpërndarjen e lëmoshës, solidarizimin me të varfrit në mënyrë që të gjithë të kenë mundësi ta gëzojnë së bashku këtë festë.
Në Tiranë falja e madhe do të bëhet në sheshin “Skënderbej”, nesër 20 Mars në orën 06.30. Programi i Fitër Bajramit fillon në orën 06:00 me hapjen e ceremonisë, ndjekur nga leximi i Kur’anit nga imami i xhamisë “Et’hem Beu”, z. Elton Karaj, dhe fjalë përshëndetëse nga Kryetari i KMSH-së, H. Bujar Spahiu. Ligjërata do të mbahet nga Nënkryetari i KMSH-së, z. Lauren Luli, ndërsa falja e namazit do të kryhet nga Kryetari i KMSH-së, H. Bujar Spahiu. Hutbeja e Bajramit do të mbajtur nga Myftiu i Tiranës, z. Bilal Teqja.
Përmes një mesazhi, kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu uron të gjithë besimtarët myslimanë dhe mbarë shqiptarët kudo që jetojnë e punojnë, me rastin e festës së Fitër Bajramit, duke përcjellë urimet më të përzemërta për paqe, shëndet dhe begati në familje e më gjerë!
“Fiter Bajrami është festa që na kujton vlerat më të larta njerëzore, mëshirën, dashurinë, faljen dhe ndihmën ndaj atyre që kanë nevojë. Le të jetë kjo ditë moment bashkimi”, tha ai, duke shtuar: “Ramazani ishte një udhëtim shpirtëror, i përkushtimit, sakrificës dhe afrimit me Zotin. Përmes agjërimit, lutjeve dhe veprave të mira, ne forcuam besimin tonë dhe ndenjën e solidaritetit me njëri-tjetrin. Fitër Bajrami është festa që na kujton vlerat më të mëdha njerëzore, mëshirën, dashurinë dhe faljen dhe ndihmën ndaj atyre që kanë nevojë. Le të jetë kjo ditë një moment gëzimi dhe bashkimi për çdo familje shqiptare. Në emër të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë ju uroj gëzuar Fitër Bajramin. Zoti e pranoftë agjërimin dhe lutjen tuaj, ju dhëntë paqe dhe begati në familjen tuaj”.





