Protesta e opozitës të martën që lamë pas ka shkaktuar sërish debat në studion e “Quo Vadis”, të moderatores Pranvera Borakaj, këtë të enjte në Vizion Plus.
Për avokaten dhe kryetaren e PD, Dega 1 në Tiranë, Eda Grimci, protesta ishte paqësore dhe molotovi i hedhur nga qytetarët kishte për qëllim vetëm institucionet. Sipas saj, kjo është një formë revolte.
Por për përfaqësuesin e “Qendresa Qytetare”, Migen Qiraxhi, protesta ishte e dhunshme.
Pjesë nga biseda:
Qiraxhi: Pse përdorni molotov?
Grimci: Molotovi është formë proteste.
Qiraxhi: Është e dhunshme?
Grimci: Është formë dhune, por nuk është ndonjë krim i madh. Të godasësh institucionet është një formë revolte.
Qiraxhi: E bën kjo protestën të dhunshme?
Grimci: Është një revoltë qytetare.
Qiraxhi: Mund ta quajmë festiv molotovin?
Grimci: Festiv ka qenë 1 Maji në komunizëm. Po të vini në protestë, do ta kuptoni.
Qiraxhi: Unë dua të kuptoj si të vij në protestë: si paramilitar, të marr gjyshen apo të bëj palestër?
Grimci: Nuk keni nevojë t’i vini në ndihmë protestës në atë mënyrë. Duhet t’i vini në ndihmë duke protestuar.
Qiraxhi: Unë nuk di të jetë dëmtuar ndonjë qytetar.
Grimci: Nëse nuk ju thotë njeri, keni të drejtë.
Qiraxhi: Nëse protesta ka benefite politike, i merrni ju; nëse ka arrestime, i merr qytetari.
Grimci: Këtu gaboni. Nuk mund ta konsideroni protestën revoltë.
Qiraxhi: E organizon një parti politike.
Grimci: Edhe protestat tuaja politike kanë qenë.
Qiraxhi: Po.
Grimci: Prandaj keni nga 50 veta në protestë. Keni zgjedhur aktorë politikë.
Qiraxhi: Kur shoqëria civile bën protestë në rrugë, i vetmi aktor politik është opozita ligjore.
Grimci: Ju keni bërë protestë te Ministria e Arsimit, keni gjuajtur me vezë. Si e quani këtë protestë?
Ibraj: Veza paqësore është.
Qiraxhi: Ju jeni avokate, duhet ta dini çfarë janë ngjyrat dhe zjarri. Ju i vutë vetë zjarrin protestuesve tuaj.





