E premte, 16 Tetor 2026 Trazira në Parajsë deri në 14:10 Në vijim ora 14:10: Det i Trazuar Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Sekuestrohen mbi 3.3 ton kokainë në Spanjë dhe Portugali, 3 të arrestuar

Mbi 3.3 ton kokainë janë sekuestruar në një operacion të përbashkët të autoriteteve spanjolle dhe portugeze, i zhvilluar në zonën e Costa del Sol në Spanjë dhe në Portugali. Në kuadër të operacionit janë arrestuar tre persona, dy në Spanjë dhe një në Portugali, të dyshuar si pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës.

Operacioni u zhvillua pas hetimeve të nisura nga autoritetet spanjolle, të cilat kishin marrë informacion se një furgon po transportonte një sasi të konsiderueshme droge nga Portugalia drejt Costa del Sol.

Reklamë

Hetimet çuan policinë në një pronë në Torremolinos, ku u zbuluan rreth 1.7 ton kokainë. Në ambientet e pronës u arrestua një person dhe u sekuestrua gjithashtu një pistoletë e mbushur.

Ndërkohë, autoritetet ndoqën një automjet, i cili dyshohet se ishte i përfshirë në transportin e drogës. Automjeti u drejtua për në Marbella, ku u ndalua nga policia. Gjatë kontrollit u gjetën rreth 2 ton kokainë dhe u arrestua një person.

Reklamë

Operacioni u shtri edhe në Portugali, ku Policia Gjyqësore portugeze lokalizoi furgonin që dyshohet se ishte përdorur për transportin e drogës dhe po kthehej drejt Spanjës.

Autoritetet ndaluan automjetin dhe arrestuan drejtuesin e tij. Brenda furgonit u zbuluan edhe 1.5 ton kokainë, si dhe dy armë me tytë të gjatë. Drejtuesi ishte personi i tretë i arrestuar në kuadër të operacionit.

Në total, autoritetet sekuestruan tre armë, dy automjete dhe rreth 1,100 euro cash. Gjithashtu, në posedim të të dyshuarve u gjetën kamera vëzhgimi, pajisje për shikim natën dhe mjete komunikimi.

Të arrestuarit dyshohen, ndër të tjera, për pjesëmarrje në organizatë kriminale, trafik droge, posedim të paligjshëm armësh, sulm ndaj punonjësve të policisë dhe shkelje të rregullave të sigurisë rrugore.

Vazhdo të lexosh

Reklamë