Donald Trump ka kritikuar ashpër shfaqjen e pjesës së parë në Super Bowl LX, me protagonist këngëtarin Bad Bunny, duke e cilësuar atë si “një nga më të këqijat në histori” dhe si “fyerje për madhështinë e Amerikës”.
Në një postim të gjatë në platformën Truth Social, pak minuta pas përfundimit të shfaqjes, Trump shkroi se spektakli ishte “absolutisht i tmerrshëm”, pa kuptim dhe larg vlerave që, sipas tij, përfaqësojnë suksesin, kreativitetin dhe përsosmërinë amerikane. Kritikat e tij u përqendruan te fakti që këngët e Bad Bunny janë në spanjisht dhe te koreografia, të cilën e përshkroi si “të neveritshme”, duke shtuar se “askush nuk kupton asnjë fjalë” dhe se shfaqja ishte e papërshtatshme për fëmijët që e ndiqnin nga SHBA dhe nga e gjithë bota.

Trump akuzoi gjithashtu mediat kryesore se do ta lavdëronin shfaqjen, duke i quajtur “Fake News”, dhe shtoi se nuk kishte asgjë frymëzuese në atë që e quajti “kaos”. Ndërkohë, performanca e Bad Bunny përfshinte referenca të shumta ndaj vendlindjes së tij, Porto Rikos, duke sjellë elemente të kulturës dhe bukurisë natyrore të ishullit në stadiumin Levi’s. Në fund të shfaqjes, artisti ngriti lart një top futbolli me mesazhin “Së bashku jemi Amerika”, ndërsa në ekranin gjigant shfaqej slogani “E vetmja gjë më e fortë se urrejtja është dashuria”.
Në postimin e tij, Trump nuk la pa sulmuar as rregullin e ri të kickoff-it në NFL, të cilin e quajti sërish pjesë të “futbollit të butë”, pavarësisht se rregulli synon të mbrojë lojtarët nga përplasjet e dhunshme dhe pasojat serioze shëndetësore. Ai kishte konfirmuar më herët se do të ndiqte gjithashtu shfaqjen alternative “All-American Halftime Show” të organizuar nga Turning Point USA, ku performuan këngëtarë country dhe Kid Rock.
/vizionplus.tv





