Në seancën plenare të sotme në Kuvend, Partia Socialiste ka tërhequr nga rendi i ditës projektvendimin për ndryshimet në përbërjen e Komisionit të Reformës Territoriale.
Lajmin e bëri të ditur nga foltorja kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili deklaroi se mazhoranca ka vendosur heqjen e këtij pike nga rendi i ditës, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi arsyet e kësaj lëvizjeje.
Lexo edhe :
Related Posts
“E heqim nga rendi i ditës ndryshimet në Komisionin e Reformës Territoriale! Do vijojë puna në Komisionin e Posaçëm të Reformës Territoriale”, u shpreh Balla gjatë seancës.
Vendimi u shoqërua me reagime nga opozita. Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, kërkoi që mazhoranca të mos mjaftohet vetëm me heqjen e pikës nga rendi i ditës, por të tërhiqet plotësisht nga ndryshimet e propozuara në Komisionin e Reformës Territoriale.
“Duhet të tërhiqeni nga ndryshimet në Komisionin e Reformës Territoriale, jo thjesht ta hiqni nga rendi i ditës! Tërheqja tregon vullnetin, shtyrja nuk tregon asgjë.”, u shpreh Boçi, duke theksuar se opozita e konsideron këtë proces të njëanshëm.
Opozita bllokoi foltoren
Opozita u bë në një zë në kritikat ndaj Kuvendit përballë kërkesave të tyre për interpelanca me anëtarë të qeverisë dhe nevojës për një vendim jo të vonuar për imunitetin e zv/kryeministres Belinda Balluku për të cilën SPAK kërkon arrestimin.
“Kam kërkuar interpelanca në korrik 2023 me ballukun, para 2 vjetësh, kushtetuta thotë 3 javë”, tha Agron Shehaj.
“Lubia ju urren ju dhe prapë e mbroni. Ju që i mbroni jeni e keqja banale. Rama do ju marrë me vete”, tha Berisha.
“Laj gojën kur i drejtohesh krahut këtej. Je i akuzuar për korrupsion e pastrim parash”, iu përgjigj Balla.
Kjo përplasje ndërpreu seancën për disa minuta, ndërsa opozita bllokoi foltoren sapo në sallë erdhi Sali Berisha dhe u shfaq në foltore.
Interpelanca me Lamallarin
Pika tjetër e rendit të ditës ishte interpelanca me ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari, e kërkuar nga deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi.
Lamallari u thirr për sqarime mbi rekomandimet e Avokatit të Popullit për trajtimin e ish-presidentit Ilir Meta, i cili ndodhet në qeli.
Blushi tha se Meta po trajtohet në paraburgim në mënyrë çnjerëzore. Ministri Lamallari iu përgjigj interesit të Blushit duke thënë se Ilir Meta në paraburgim, trajtohet me të njëjtat kushte si të gjithë të paraburgosurit e tjerë.






