Këtë vit nis prodhimi i municioneve dhe dronëve “Made in Albania”.
Detajet u bënë me dije nga Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, i cili prezantoi në Komisionin për Punët e Jashtme paketën e re për ndryshimet ligjore lidhur me rritjen e kontrollit për eksportin, importin apo tranzitin e armëve të zjarrit.
“Dy janë angazhimet e shtetit shqiptar: vijimi me një paketë ligjore që parashikon reformimin e ligjit për kontrollin shtetëror të transferimit të mallrave ushtarake dhe atyre me përdorim të dyfishtë, si dhe një projektligj tjetër për rregullimin specifik të armëve të zjarrit në vendin tonë. Detyrimet që na çuan drejt kësaj reformë burojnë nga protokolli i OKB kundër prodhimit të paligjshëm dhe trafikimit të armëve të zjarrit dhe nga ana tjetër dhe nga direktivat e fundit të BE-së”, tha Vengu.
Sa i përket prodhimeve ushtarake që do të bëhen brenda vendit, Ministri i Mbrojtjes theksoi se përpos municioneve do të përfshihen dhe uniformat dhe mjetet e emergjencave civile.
“Kemi 6 kontrata të nënshkruara për krijimin e 6 kompanive të përbashkëta shtet privat përmes kompanisë KAYO. 6 kontratat parashikojnë prodhimin e municioneve, mjeteve dhe pajisjeve personale, uniformave, armatimit të lehtë, dronëve, sistemeve antidronë dhe mjetet e emergjencave civile. Presim që produktet e para Made in Albania, prodhimet e para të fillojnë këtë vit. Kemi hyrë në fazën që duam të sigurojmë zinxhirin e furnizimit të qëndrueshëm për të gjitha nënproduktet në mënyrë që të jemi në përputhje dhe me standardet e NATO-s”, sqaroi ministri.
Ministri tha se ky projektligj nuk prek kompetencat e Policisë së Shtetit, ndërsa qartëson ndarjen e përgjegjësive mes Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes.





