Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka nisur procesin e kategorizimit dhe vlerësimin për sigurinë ushqimore, për produktet me origjinë shtazore, qumështi, mishi, peshku dhe veza, si një masë për të përmbushur standardet e sigurisë së kërkuara nga procesi i integrimit në BE.
Eksperti i bujqësisë, Ilir Pilku, në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus me moderator Aleksandër Furxhi, tha se procesi është pjesë e një inspektimi më të gjerë që përfshin gjithë zinxhirin e prodhimit ushqimor dhe synon përafrimin me standardet europiane.
Ai sqaroi se inspektimet po kryhen sipas një sistemi kategorizimi, ku bizneset që nuk plotësojnë standardet mund të përballen me masa të rënda, deri në mbyllje.
Sipas Pilkut, kontrollet nuk lidhen vetëm me një produkt të caktuar, por me të gjithë zinxhirin ushqimor, nga përpunimi deri te tregtimi.
Eksperti theksoi se objektivi është përmirësimi i standardeve të prodhimit dhe përgatitja e tregut shqiptar për konkurrencë në tregun europian.
INTERVISTA E PLOTË:
Autoritetet pra duket se janë ndalur këtë herë te qumështi. Përse sipas mendimit tuaj përse qumështi është në krye të listës së produkteve që do kontrollohen?
Ilir Pilku: Sot ishte konferenca e parë kombëtare e industrisë së përpunimit të qumështit ku pjesë ishin të gjitha strukturat e shtetit si AKU-ja, Ministria e Bujqësisë, operatorët e biznesit dhe ekspertë të huaj e vendas. Çështja qëndron se jemi përpara një sfide shumë të madhe. Ka filluar inspektimi nga inspektorët e Bashkimit Europian së bashku me inspektorët e AKU-së për sektorin e qumështit, të mishit dhe të thertoreve për të bërë një kategorizim të gjendjes së tyre. Janë katër shkallë kategorizimi dhe kush klasifikohet si kategoria e katërt do të thotë që duhet të mbylli biznesin.
Flitet për qumështin pluhur. Shpesh është edhe bisedë mjaft popullore që produktet janë me qumësht pluhur e të tjera e të tjera. Si duhet kuptuar, çfarë është ky standard që nuk tolerohet ose që nuk duhet toleruar për qumështin pluhur?
Ilir Pilku: Nuk diskutuam fare sepse nuk ka lidhje me qumështin pluhur, por ka lidhje me standartet që operatorët e biznesit në operimin e tyre duhet të vlerësojnë dhe të implementojnë. Nuk bëhet fjalë për qumështin pluhur sepse nuk ka asnjë lloj problemi qumështi pluhur, për aq kohë sa ligji shqiptar dhe ligjet e Bashkimit Europian e lejojnë dhe duhet të vendoset edhe në etiketë. Ne flasim për kushtet në të cilat ne operojmë për të gjithë zinxhirin në mënyrë që t’i afrojmë konsumatorit, tashmë nuk flasim vetëm për konsumatorin vendas, por vlerësohemi për një produkt që do t’i ofrojmë nesër konsumatorit europian.
Cilat do të ishin produktet e tjera më të ekspozuara ndaj shkeljes së standarteve, përderisa këto kontrolle synojnë pikërisht të gjurmojnë shkeljen e standarteve të ushqimit?
Ilir Pilku: Unë do të them që do të jenë rreth 2800 njësi dhe operatorë biznesi të cilët klasifikohen në përpunues, duke filluar nga furrat e bukës, pastiçeritë, qumështi, mishi, frutat dhe zarzavatet e përpunuara apo të konservuara, që do të kalojnë në kontrolle shumë të thella. Pastaj patjetër që bujqësia primare, fermat blegtorale dhe fermat bujqësore, të gjithë do kalojnë në këtë kontroll shumë të madh në mënyrë që ose do të plotësojnë standartet, ose do të mbyllin biznesin e tyre. Kjo është sfida e Bashkimit Europian.
/vizionplus.tv





