Avokati i Erion Veliajt i ka paraqitur një kërkesë informacioni Këshillit të Lartë të Prokurorisë lidhur me dekretin e emërimit të prokurorit Ols Dado dhe për përfundimin e statusit të tij si magjistrat.
Sipas shkresës së paraqitur nga Plarent Ndreca, kërkesa e dorëzuar në shkurt të vitit të shkuar lidhur me dekretin për Dadon, nuk është shqyrtuar nga i gjithë organi i KLP, por vetëm nga nënkryetari Erind Gërmenji. Veliaj pyet KLP-në nëse ka dijeni për këtë.
Në kërkesë thuhet se në mars të vitit të shkuar, Veliaj dhe avokatët janë informuar se “KLP shqyrtoi kërkesën tonë”, por më vonë ka rezultuar ndryshe.
“Ndodhur në këto kushte, kërkojmë nga ana juaj të na informoni nëse keni qenë në dijeni të faktit se z. Gërmenji ka marrë në shqyrtim dhe ka vendosur personalisht lidhur me përfundimin e statusit të magjistratit të z. Ols Dado, për shkak të mospërmbushjes së kritereve ligjore për emërimin e tij, duke i hequr kompetencën Këshillit të Lartë të Prokurorisë për të marrë një vendim kolegjial mbi kërkesën tonë. Nuk rezulton që kërkesa jonë të jetë shqyrtuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë si organ kolegjial, por vetëm nga nënkryetari i tij, z. Erind Gërmenji, i cili në këtë shkresë ka mbajtur edhe qëndrim mbi themelin e kërkesës, duke arsyetuar se nuk mund të konstatohej pavlefshmëria e pretenduar për shkak se z. Ols Dado kishte kaluar me sukses procesin e rivlerësimit kalimtar”, thuhet në kërkesë.





