E enjte, 29 Tetor 2026 Trashëgimtari Halef deri në 19:00 Në vijim ora 19:00: Lajme Ora 19:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Shpyllëzoi qindra hektarë pyje për ndërtimin e një qendre të dhënash, nis hetim penal ndaj Google në Finlandë

Policia finlandeze ka nisur një hetim penal për shkelje të mundshme të legjislacionit mjedisor të vendit gjatë ndërtimit të një qendre të të dhënave (data center) të Google në pjesën veriore të Finlandës.

Autoritetet pretendojnë se Tuike Finland, një filial i Google, ka prerë dhe tharë 815 hektarë pyje në Muhos, në një zonë të përcaktuar paraprakisht, përpara përfundimit të vlerësimeve të ndikimit në mjedis, të cilat kërkohen nga ligji.

Reklamë

Policia finlandeze deklaroi të enjten se në kantierin e Tuike Finland janë konstatuar paqartësi dhe mangësi në sistemin e kullimit dhe menaxhimit të ujërave.

Ashtu si vendet e tjera nordike, Finlanda po tërheq kompani teknologjike që synojnë të ndërtojnë qendra të të dhënave, për shkak të stabilitetit relativ gjeopolitik, sipërfaqeve të shumta të tokës në dispozicion, por edhe sepse klima e ftohtë ul kostot e energjisë.

Reklamë

Gazeta The Guardian raporton se autoritetet finlandeze po shqyrtojnë aplikime për gjithsej 145 qendra të reja të të dhënave, të cilat ndodhen në faza të ndryshme planifikimi. Mes tyre është edhe një projekt i Google për infrastrukturën e inteligjencës artificiale, me vlerë 13 miliardë euro, që përbën investimin më të madh të kompanisë në Evropë.

Me një vendim tjetër gjatë muajit tetor, autoritetet finlandeze urdhëruan Google të pezullojë punimet në dy zona, në Muhos dhe Otanmäki, pasi kompania nuk kishte përfunduar vlerësimet e ndikimit në mjedis përpara se të niste prerjen e pyjeve.

Autoriteti mbikëqyrës, i cili kontrollon lejet dhe vlerësimet mjedisore, i kërkoi Google të ndalonte “masat përgatitore që ndryshojnë mjedisin”. Aktivistët vlerësojnë se në Muhos janë prerë 250 mijë pemë, ndërsa në Otanmäki rreth 150 mijë pemë.

Drejtori i Google në Finlandë kërkoi falje për shpyllëzimin, por argumentoi se kompania kishte vepruar në përputhje me “interpretimin më të mirë që kishim për legjislacionin në atë kohë”.

Qeveria finlandeze mbështet ndërtimin e qendrave të të dhënave. Kryeministri Petteri Orpo ka deklaruar se tërheqja e investimeve është një “përparësi kryesore” dhe se marrëveshja do të “sjellë përfitime afatgjata”.

Megjithatë, veprimet e Google kanë nxitur debat në vend dhe mund të ndikojnë në zgjedhjet parlamentare që do të zhvillohen në prill të vitit 2027.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.