Lituania do të shpallë “gjendje emergjente kombëtare” për shkak të incidenteve me balonat e paligjshme nga Bjellorusia, njoftoi kryeministrja e vendit.
“Po përgatisim aktualisht bazën ligjore dhe dokumentet e nevojshme,” deklaroi kryeministrja Inga Ruginienė para gazetarëve, duke e cilësuar shpalljen e gjendjes së emergjencës “masën më të mirë që mund të merret në këtë moment”.
Vendosja e gjendjes së emergjencës i mundëson qeverisë dhe autoriteteve lokale të angazhojnë më shumë burime në luftën kundër balonave ajrore.
“Nuk përjashtojmë marrjen e masave të mëtejshme,” shtoi kreu i qeverisë lituaneze, duke theksuar se shpallja e gjendjes së emergjencës pritet të bëhet javën e ardhshme.
Së fundmi, për shkak të “hyrjeve” të balonave të ardhura nga Bjellorusia, dy aeroportet më të mëdha të Lituanisë, ai i Vilniusit dhe i Kaunasit, janë detyruar disa herë të pezullojnë operimet.
Autoritetet lituaneze pretendojnë se balonat, të cilat fluturojnë deri në lartësi 10 kilometra, dërgohen qëllimisht drejt korridoreve ajrore të aeroportit dhe përbëjnë një sulm ndaj aviacionit civil.
Edhe pse balonat janë përdorur prej kohësh nga kontrabandistët për transport të paligjshëm cigareje, muajt e fundit ato kanë shkaktuar mbylljen e aerporteve.
Shteti balltik, anëtar i NATO-s dhe BE-së, akuzon prej kohësh Bjellorusinë aleate të ngushtë të Rusisë, se po zhvillon një “luftë hibride” kundër tij.





