Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në ceremoninë e 35-vjetorit të PS në Durrës u ndal edhe tek protestat e opozitës.
Ai u shpreh se opozita arriti deri në pikën që përdori edhe flamujt e Gjermanisë në Bulevard, duke shtuar se gjatë konferencës ndërqeveritare në Bruksel me BE-në do të takohet edhe me kancelaren gjermane, dhe do ta ‘përshëndeste’ opozitën me informacione të detajuara.
Rama: Çfarë nuk thanë për këtë që nesër bëhet një tjetër fakt. Ku nuk shkuan dhe çfarë nuk sajuan. Dhe mbi të gjitha për turpin e madh, por turpi është një fjalë që nuk ka lidhje me ta. Morën rrugën me molotovë dhe gëzoheshin që kazanët e plehrave që digjeshin, apo flakadanët që godisnin Kryeministrinë dhe Xhaminë e Madhe dilnin në mediat e botës. Arritën deri në pikën që nxorën flamujt e Gjermanisë në bulevard. Kishim parë flamujt e Amerikës, kur thonin: ‘Amerika është me ne’. Këtej molotovët, këtej flamujt e Gjermanisë dhe mbushën dynjanë që Gjermania na ka ndëshkuar.
Nesër në Bruksel janë të gjithë, është edhe Gjermania. Pas disa ditësh, do t’ju çoj si përshëndetje një informacion të detajuar nga takimi që do kem me kancelarin e Gjermanisë. Dua të argëtohem pak me ata. Unë kam shumë qejf kur ata shkojnë vetë te grepi dhe tunden në grep.
Dua të them vetëm që sot ne përfaqësojmë Shqipërinë me forcën e transformimit. Jo thjesht sepse kemi restauruar fasada, as se kemi mundësinë të paraqitemi me atlete, por sepse ky është një vend që para një dekade kishte më pak se 10 miliardë euro prodhim. Sot ka kaluar 27 miliardë. Paga mesatare në sektorin publik është 1086 euro, të ardhurat janë rritur përsëri pa rritur taksën. Sot kreditë bankare janë 10 miliardë euro. Do të vazhdojë rruga e transformimit.
/vizionplus.tv





