Eksperti i ekonomisë Azmi Stringa, ka ngritur alarmin për krizën e skemës së pensioneve në Shqipëri, duke theksuar se vendi po përballet sot me pasojat e 30 viteve keqmenaxhim dhe mungesë formalizimi.
Sipas tij, formula e llogaritjes së pensioneve ka nxjerrë në pah një realitet të ashpër, shumë qytetarë që sot kanë arritur moshën e tretë, nuk kanë paguar ose nuk iu janë hedhur kontributet, duke mbetur me pensione minimaliste.
Në një intervistë me moderatoren Pranvera Borakaj, Stringa theksoi se pavarësisht rritjeve të shpallura, pensionet në terma realë kanë mbetur thuajse 0%, ndërsa skema si e tillë është në vështirësi serioze.
Pjesë nga biseda:
Stringa: Për shkak të formulës së llogaritjes që u zhvillua, shqiptarët po vuajnë tani një pasojë, s’kanë paguar sigurimet këto 30 vjet. Pra, pasojat që ne po shohim sot, një pjesë e tyre nuk janë më gabimet që janë bërë gjatë kohës së komunizmit. Tani Shqipëria po sheh pasojat e keqqeverisjes dhe keqmenaxhimit gjatë këtyre 30 vjetëve. Ai që ishte 25 vjeç në ’90-ën, tani ka kapur moshën e pensionit dhe ka një periudhë të tërë që nuk është interesuar se çfarë ka ndodhur
Borakaj: Ose ka punuar dhe kontributet nuk janë hedhur, se kjo ka ndodhur.
Stringa: Tani, mund të thuash ti diçka tjetër, që ky është faj që kanë qytetarët.
Borakaj: Po
Stringa: Por, faji është pastaj pse qeveria nuk ka pasur mundësi ta rrisë më shumë pensionin, atë bazën, që të paktën këta të ishin në një pension relativisht të lartë ose të mirëqenë. Kjo del pastaj si arsye e reformave, të cilat edhe ato fatkeqësisht, në një farë mënyre, nuk kanë ecur me atë progresin që duhet, sa i përket edhe formalizimit. Po ashtu, dhe sa i përket edhe transferimit të rritjes ekonomike në rritje pagash, rritje rrogash dhe në rritje mirëqenie për qytetarët
Borakaj: Pra, Shqipërisë i rriten pensionistët dhe pensionistët paguhen pak.
Stringa: Pensioni dhe skema janë në një problem shumë të madh, megjithëse qeveria nuk e pranon. Pensionistëve i është rritur skema… i është rritur pensioni në terma realë gati zero %.
/vizionplus.tv





