Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë mbrëmjen e djeshme banesën e shtetasit Gëzim Bono në fshatin Pilur, Bashkia Devoll, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Flakët shpërthyen në orët e vona dhe përhapen me shpejtësi, duke djegur thuajse të gjithë ndërtesën.
Forcat zjarrfikëse ndërhynë në kohë, duke arritur të izolojnë vatrën e zjarrit dhe të parandalojnë përhapjen e flakëve në banesat e tjera përreth. Pavarësisht dëmeve të mëdha, u arrit të shpëtohet pjesa e kuzhinës, plevica si dhe disa bagëti që ndodheshin pranë godinës.
Dyshimet e para flasin për një shkëndijë elektrike si shkak të zjarrit, por hetimet vijojnë për të përcaktuar me saktësi rrethanat e incidentit.
Ndërkohë, Sektori i Emergjencave Civile pranë Bashkisë Devoll do të kryejë një vlerësim të plotë të dëmeve gjatë orëve në vijim. Fatmirësisht, nuk raportohet për të lënduar në njerëz.
/vizionplus.tv





