Ish-ministri i financave Arben Malaj ka apeluar ndaj partive politike që në programet e tyre elektorale të kthejnë sytë nga prodhimi vendas. Sipas tij puna e parë që duhet të bëjë një qeveri që mandatohet është të hartojë politikat për të ulur varfërinë. Një shoqëri e varfër prodhon fenomene negative në shoqëri. Por objektivi kryesor sipas Malajt duhet të jetë bujqësia, prodhimi vendas.
“Duke patur parasysh që braktisja më e madhe është në zonat rurale, qeveria duhet ta ketë më në fokus bujqësinë. Ky sektor është totalisht i ekspozuar nga fatkeqësitë natyrore. Ajo është totalisht e ekspozuar nga konkurrenca jo e drejtë e importuesve. Tregtia është e lirë, por jo e ndershme. Ne importojmë 70 % nga vendet evropiane, konkretisht në Greqi, Itali. Fermerët në këto shtete kanë një mbështetje shumë më të madhe se fermerët shqiptarë, pra ato subvencionohen”, tha Malaj.
Por sa më shumë afrohet dita e zgjedhjeve aq më shumë intensifikohen premtimet e partive politike ndaj qytetarëve, ndërsa zbatimi i tyre në shoqërohet me skepticizëm.
“Në një vend me oponencë të dobët publike, me llogaridhënie të dobët, normale që politika ka mundësi që të premtojë dhe të mos realizojë ato që thotë. Vende të tilla me demokraci të brishtë bën që premtimet të mbeten vetëm fjalë”, tha Malaj.
Zyrtarisht jemi një muaj larg nga çelja e fushatës zgjedhore dhe biznesi thotë se nuk ka ende një ofertë ekonomike për sipërmarrjen dhe klimën ekonomike./vizionplus.tv





