Presidenti amerikan Donald Trump ka sulmuar ashpër udhëheqjen iraniane, duke e akuzuar Teheranin se është “jashtëzakonisht dyfytyrësh” në kontaktet me Uashingtonin.
Në një postim të tij, Trump deklaroi se pala iraniane kërkon një takim me Shtetet e Bashkuara, ndërsa njëkohësisht pretendon publikisht se nuk është në negociata me SHBA-në dhe se bisedimet i zhvillon vetëm përmes Omanit.
Trump kundërshtoi gjithashtu pretendimet e Iranit se kontrollon Ngushticën e Hormuzit, duke thënë se lundrimi në këtë zonë është nën kontrollin e plotë të Marinës amerikane.
Sipas tij, asgjë nuk mund të mbërrijë në Iran pa miratimin e Shteteve të Bashkuara dhe kjo do të vazhdojë derisa të arrihet një marrëveshje ose, siç u shpreh ai, “dorëzim i plotë”.
Presidenti amerikan tha se negociatat synojnë zgjidhjen e një problemi që, sipas tij, është krijuar nga udhëheqja iraniane gjatë dekadave të fundit.
Në fund të deklaratës së tij, Trump përsëriti qëndrimin e Uashingtonit ndaj programit bërthamor të Iranit, duke theksuar se “Irani nuk do të ketë kurrë armë bërthamore”.





