Ministria e Brendshme, përmes Policisë, IKMT dhe Shërbimit Zjarrfikës, në funksion të mirë-menaxhimit të sezonit turistik po zbaton Planin Kombëtar “SAFE STAY IN ALBANIA”.

Ministri Brendshëm Taulant Balla deklaroi se vizioni “Shqipëria 2030” ka në themelin e vetë, pakthyeshmërinë e progresit të arritur, ku spikat ai në turizëm, për ta bërë Shqipërinë kampione të Ballkanit me një siguri në nivelin më të lartë.

Në eventin “Rrugë të Sigurta, turizëm i sigurt”, ku morën pjesë zv.kryeministrja Belinda Balluku, ministrja e Mjedisit Kumbaro si dhe drejtues të institucioneve dhe agjencive ligjzbatuese, Balla tha se prej muajit shkurt ka nisur operacion i përbashkët i IKMT dhe Policisë së Shtetit, për të larguar vendgrumbullimet e mjeteve motorike nga anët e rrugëve kombëtare.

Më tej ministri pohoi se Policia e Shtetit do të angazhojë me shërbim në zonat turistike e plazhe mbi 1,600 punonjës policie, ku një pjesë e madhe janë nga Policia Rrugore.

Me gjithë numrin në ulje të aksidenteve rrugore, Balla apeloi për respektim të rregullave të qarkullimit për të shmangur fatalitetet në rrugë. Ai tha se në funksion të monitorimit të akseve rrugore, do të përdoren pajisje të teknologjisë së lartë si kamera, radarë e dronë. Ai përmendi një ndër projektet kryesore ku po punohet për rritjen e sigurisë rrugore, i njohur si “Smart City”, i cili do të nisë të zbatohet në qytetet e mëdha, apo përdorimin e inteligjencës artificiale.

Ndër masa e tjera, për lehtësimin e lëvizjes në dy krahët e kufirit, Ministri përmendi marrëveshjen me Kosovën.

Ndërsa si risi për këtë sezon e në vijim do të jetë “Trupa e Ndërhyrjes Teknike”, e cila parashikon bashkëveprimin dhe koordinimin mes shërbimeve të Urgjencës Mjekësore, Zjarrfikëses dhe Policisë së Shtetit, në raste ngjarjesh me pasoja.

“Kemi hyrë tashmë në fazën intensive të sezonit turistik veror, kemi një shtim të numrin të hyrje-daljeve, përveç mbërritjeve në aeroportin “Nënë Tereza” apo në pikat kufitare, janë akset tona rrugore të cilat dëshmojnë për një prezencë të madhe të vizitorëve të huaj të cilët hyjnë kryesisht me makinat e tyre në pikat e kalimit kufitar.

Sikurse e tha edhe Ministrja Kumbaro, ne presim të kemi një rritje krahasimisht me vitin historik 2023, me 30-40% të vizitorëve të huaj të huaj që do të hyjnë dhe ose kanë zgjedhur Shqipërinë për të pasur pushimet e tyre. Ministria e Brendshme përmes Policisë së Shtetit, përmes IKMT, përmes MZSH i ndërlidhur me këtë shërbim në të gjitha bashkitë e vendit, ka filluar zbatimin e Planit Kombëtar që ne e kemi quajtur Safe Stay in Albania për të garantuar një sezon të sigurt për çdo pushues, qofshin ata vendas apo të huaj, për të rikonfirmuar edhe këtë vit çertifikimin tonë si një destinacion turistik me siguri mbresëlënëse duke ritheksuar dhe sjell dhe një herë në vëmendje vizionin tonë Shqipëria 2030, i cili ka në themelin e vet pakthyeshmërinë e progresit të arritur në të gjitha fushat, por me një fokus të veçantë Shqipëria kampione e Ballkanit në turizëm me siguri të nivelit më të lartë.

Pozicioni gjeografik i Shqipërisë i ka bërë rrugët tona jo vetëm rrugë kombëtare, por pothuajse të gjitha korridoret tona rrugore janë korridore Europiane, nga veriu në jug, nga perëndimi në lindje të vendit dhe kjo është një sfidë tjetër e shtuar sa i përket rritjes së flukseve të shfrytëzimit të rrugëve shqiptare. Prej muajit shkurt kemi ndërmarrë një operacion të përbashkët mes Policisë së Shtetit dhe IKMT për të larguar vend grumbullimet e mjeteve motorike nga anët e rrugëve të cilët jo vetëm që ishin një shkelje e ligjit, një ligji në fuqi prej shtatorit 2012, jo vetëm që ofronin një pamje jo të këndshme për vizitorët por dhe për vendasit, por dhe në shumë raste kanë qenë edhe burim aksidentesh rrugore me lloj lloj mjeti të degraduar, i cili vazhdonte të degradonte në krahë apo në anë të rrugës dhe t’ju them të drejtën shembulli më tipik ishte një rast në rrugën Elbasan Qaf Thanë ku një dum dum kinez kishte dekada, madje që para ndryshimit të sistemit që rrinte në krahë të rrugës dhe askush nuk shkonte që të pyeste i kujt është dhe pse nuk largohej prej aty dhe po ky dum dumi kinez ka qenë shpesh herë burim incidentesh rrugore m’u në krahë të rrugës dhe mendoj. Mendoj dhe që mund të ketë përsëri z. Drejtor apo drejtues të IKMT-së ende raste të tilla, të cilat duhen të pastrohen menjëherë dhe këtu gjejë rastin të falënderoj Autoritetin Rrugor Shqiptar për disponibilitetin në kuadër të këtij bashkëpunimi.

Gjatë këtij aksioni janë zhvilluar në shkallë kombëtare një numër i konsiderueshëm ndërhyrjesh dhe janë identifikuar 600 pika grumbullimi mjetesh dhe pjesësh dhe zotëruesit e të cilëve janë detyruar sipas ligjit t’i zhvendosin vullnetarisht brenda një afatit të arsyeshëm dhe më pas kemi ndërhyrë po sipas ligjit, në masat që lidhen qoftë me masat administrative, qoftë me sekuestrime apo mbyllje të këtyre aktiviteteve. Në planin e madh të masave të marra nga Policia e Shtetit janë parashikuar të angazhohen në këtë operacion do ta quaja kombëtar “Safe stay in Albania”, plot 1635 punonjës të policisë, pjesa më e madhe e tyre pjesë e forcës kombëtare të sigurisë publike, e cila u krijua si një forcë pikërisht për të përballuar nevojën që ka sezoni turistik, por brenda kësaj një zë i rëndësishëm është numri i punonjësve të policisë të qarkullimit rrugor të cilët do të jenë në bashkëveprim me entet e tjera publike për të siguruar sa më shumë siguri rrugore në rrugë gjatë këtij sezoni.

Besoj që biem të gjithë dakord dhe ka një konsensus kombëtar që cilësia e rrugëve në Shqipëri gjatë viteve të fundit ka një ndryshim shumë të madh cilësor dhe të dhënat që vijnë nga drejtoria e përgjithshme e shërbimit të transportit rrugor sa i përket statistikave, dëshmojnë këtë përmirësim të cilësisë së rrugëve sepse lidhet drejtë për së drejti me uljen e incidenteve rrugore. Në vitit 2023 numri i aksidenteve rrugore është ulur me 44% krahasuar me vitin 2013, ndërsa numri i qytetarëve të aksidentuar po ashtu është ulur me 43%. Dhe të mos harrojmë asnjëherë që në këto 10 vite kemi pothuajse dyfishim të numrit të mjeteve motorike në përdorim të shtetasve shqiptarë, pa harruar këtu se është rritur me disa fish numri i mjeteve motorike me targa të huaja që kanë hyrë në Shqipëri, pra nëse do t’i merrnim të gjitha rrugët së bashku na rezulton që në 3600 km rrugë kombëtare të administruara nga Autoriteti Rrugor Shqiptarë të kenë kaluar gjatë vitit 2023 3.6 milion mjete.

Nëse do t’i vendosim të gjitha këto jete njëra pas tjetrës nuk do të kishte vend, por kjo është njëra pjesë, pjesa tjetër është që gjatë vitit 2024 presim të kemi 4.5 milion mjete në rrugët kombëtare shqiptare. Kështu që në funksion të monitorimit të akseve rrugore në kemi marr masat për të përdorur pajisjet e teknologjisë më të lartë për të evidentuar shkelësit, të cilët kanë të bëjnë me radarë, kamera, dronë”, tha nder te tjera Taulant Balla. /vizionplus.tv/ 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *