Zhvillimet në fushën e biogjenetikës dhe përdorimi i qelizave staminale po marrin gjithnjë e më shumë vëmendje edhe në Shqipëri.
Gjinekologia Edlira Bylykbashi, e ftuar në “Mes’dritë” në Vizion Plus me dyshen e moderatorëve Alma Çelaj dhe Syrjan Rahova shpjegon se këto qeliza, të cilat merren kryesisht nga kordoni umbilikal menjëherë pas lindjes së foshnjës, konsiderohen si një “fond sigurie” për shëndetin në të ardhmen, pasi mund të përdoren në trajtimin e disa sëmundjeve të caktuara.
Megjithatë, ajo thekson se qelizat staminale nuk janë zgjidhje për çdo sëmundje dhe përdorimi i tyre mbetet ende në zhvillim në shumë fusha të mjekësisë.
Gjinekologia Bylykbashi: Flasim për diçka e cila në Shqipëri quhet e re, sepse në botë ka vite. Qelizat staminale janë sekuencuar që në vitet ’60…këtu ka marrë dhe fillesën transplanti i parë i kockave që është bërë. Gjenetika tani ka marrë zhvillim pafund dhe sytë janë drejt biogenetikës. Qelizat staminale kanë shumë vlerë, por nuk shërojnë çdolloj sëmundshmërie. Kanë vlerën e tyre për sëmundje të caktura. Ajo që ne themi është që ‘këto qeliza staminale mendojni sikur i keni fondin tuaj të sigurisë për shëndetin tuaj në të ardhmen.’ Qelizat staminale mendohen se merren vetëm nga kordoni i bebit. Merren nga kordoni sapo lind bebi. Pa u prerë akoma kordoni merret 150 ml gjak nga kordoni umbilikal që thithet dhe nga placenta. Presupozohet që ka miliona dhe miliona qeliza stamilane vetëm në 50 mln gjak të marrë nga kordoni umbilikal. Pastaj pritet një kordon diku te 10-15 cm, i cili ruhet në kampionët, që janë kompanitë e bankave që ruajnë qelizat staminale. Një cm kordon mban deri në 5 milionë qeliza staminale. Përputhshmëria është për bebin që kemi marrë qeliza, për motra/vëllezër shkon 75%, për prindërit 50%. Është një depozitë qelizore që ia bën dhuratë familjes sepse mund të përdoren dhe nga famlja.
Si ruhen?
Gjinekologia Bylykbashi: Janë bankat që ruajnë qelizat staminale që nuk janë në Shqipëri. Në Shqipëri kryehet vetëm marrja. Kanë kritere të caktuara, duhet dhe mjeku dhe mamia që asiston në lindje dhe pasi vendosen në kuti transportohen në vendet ku pacienti ka lidhur kontratën e ruajtjes së qelizave staminale. Ne i sugjerojmë pacientit dhe i japim informacion çiftit për qelizat staminale dhe vendimmarrja është vetëm e tyre. Ruhen në temperatura -185 gradë.
Sëmundjet që mund të shërohen
Gjinekologia Bylykbashi: Qelizat staminale japin zgjidhje te sëmundjet hematologjike, limfomat, leucemia, te problemet e parkinsonit, diabeti tipi 1 dhe përdoren shumë për rigjenerimin, kur kemi djegie të rënda. Qelizat staminale janë akoma në faza studimore. Pacienti duhet ta dijë që është i limituar numri i sëmundjeve që luftohen momentalisht.





