Ambasada e Shteteve të Bashkuara u bën thirrje të gjithë udhëheqësve politikë e zyrtarëve të qeverisë që të sigurohen që zgjedhjet e 30 qershorit të zhvillohen në mënyrë transparente.

 

Në një deklaratë të postuar në “Facebook”, ambasada nxit udhëheqësit që të distancohen nga çdo akt dhune dhe çdo përpjekje që synon pengimin e procesit zgjedhor apo dhe të drejtën e qytetarëve për të votuar.

 

Ambasada thekson më tej se kushdo që përfshihet në akte dhune duhet hetuar me të gjithë fuqinë e ligjit.

 

 “Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bëjnë thirrje të gjithë udhëheqësve politikë, zyrtarëve të qeverisë, agjencive të sigurisë dhe qytetarëve shqiptarë që të sigurohen që zgjedhjet e 30 qershorit të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe transparente. Ne nxisim udhëheqësit politikë të refuzojnë çdo dhe të gjitha llojet e dhunës, apo çdo përpjekje për të penguar procesin zgjedhor apo edhe të drejtën e çdo qytetari për të votuar. Dhuna nuk është një mënyrë legjitime e të shprehurit politik. Ata që përfshihen në akte dhune duhen hetuar me të gjithë fuqinë e ligjit. Shtetet e Bashkuara do të kenë ekipe vëzhguesish në qendrat e votimit dhe qendrat e numërimit në mbarë Shqipërinë. Ne do të mbështetemi në raportin e OSBE/ODIHR-it për të vlerësuar rregullsinë e votimit.”

 

Ambasada I bën apel poitikës që mënjehrë pas përfundimit të zgjedhjeve të 30 qershorit të rikthejë vëmendjen në ngritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe miratimin e reformës zgjedhore. Reforma këto, që sipas ambasadës, janë thelbësore për integrimin e vendit në BE.

 

“Ne nxisim udhëheqësit politikë që, pas zgjedhjeve të së dielës, të rikthejnë vëmendjen e tyre në forcimin e institucioneve demokratike shqiptare dhe zbatimin e ligjit, përfshirë edhe ecjen përpara me ngritjen e një Gjykate Kushtetuese të drejtuar nga gjykatës të cilët e kanë kaluar vetingun. Miratimi i reformave zgjedhore dhe zbatimi i reformës në drejtësi janë thelbësore për aspiratat europiane të Shqipërisë dhe për ngritjen e demokracisë së fortë që i shërben të gjithë shqiptarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *