Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në 35-vjetorin e PS-së, ftoi protestuesit për bashkëbisedim.
Ai nënvizoi se nuk ka një marrëveshje për projektin në Zvërnec, teksa iu drejtua qytetarëve që po protestojnë se është i gatshëm për dialog në çdo kohë.
Rama u shpreh se ishulli është dhe mbetet pronë e popullit shqiptar.
Rama: Çdo njeri që është i interesuar për mjedisin, biodiversitetin dhe të ardhmen e shpendëve në zonën ku do të zhvillohet projekti i Zvërnecit apo i Sazanit, le të vijë dhe t’u themi faktet. Bujrum, ejani t’i dëgjoni, t’i shikoni dhe t’i verifikoni vetë faktet. Ejani të ndiheni jo vetëm të lehtësuar, por edhe krenarë. Ejani t’i shikoni me sytë tuaj se nuk i është dhënë asnjë status investitori strategjik. Ejani të dëgjoni dhe të shihni se nuk ka ende marrëveshje, por vetëm negociata që po zgjasin. Zgjasin pikërisht sepse ne nuk përfaqësojmë interesat e investitorëve, por të Republikës së Shqipërisë. Ne kemi bërë të qarta dy gjëra shembullore: ishulli nuk shitet, gjë që, për hir të së vërtetës, as ata nuk e kanë kërkuar, dhe as nuk jepet me qira. Ishulli është dhe mbetet pronë e popullit shqiptar, ndërkohë që shteti kërkon të marrë pjesë si partner dhe të sigurojë përfitime nga financimi për popullin shqiptar.
/vizionplus.tv





