Kryeministri Edi Rama, njëherësh kreu i PS-së, në festën e 35-vjetorit të themelimit, që po zhvillohet në “Sheshin Italia”, e nisi fjalën e tij mbi atë që po ndodh në Bulevard.
Rama tha se shumica e protestuesve ndodhen aty pasi janë keqinformuar për atë që po ndodh realisht në Zvërnec.
Lexo edhe :
Related Posts
Sipas tij, qeveria socialiste ka bërë më shumë se kushdo për mjedisin dhe mbrojtjen e tij, dhe se projekti nuk shkatërron, por zhvillon vendin.
“Puna e deshi që në 35-vjetorin e kremtimit të themelimit të PS-së, një masë e madhe njerëzish të dilte vrullshëm mbi kanalet e internetit dhe një përfaqësi e saj të merrte çdo mbrëmje Bulevardin e Tiranës. Protesta nisi me zemërimin e drejtë për një akt dhune dhe me kundërshtimin e padrejtë për një investim madhor që do të ndikojë ndjeshëm parametrat ekonomikë të Shqipërisë, duke futur të paktën 4 miliardë euro në një ekonomi prej 27 miliardë eurosh. Ky investim është më shumë se 1/7 e PBB-së.
E vërteta është se edhe unë personalisht, po të isha një qytetar që informohet nga rrjetet sociale dhe duke parë turlillojet e gjysmë të vërtetave, kanalet e dala me tërbim nga shtrati dhe lloj-lloj videosh e fotosh për të ushqyer zemërimin, pelikanë të ngordhur, flamingo në arrati, gradaçela mbi Sazan e mbi lagunë, do të kisha dalë në Bulevard i alarmuar nga gjithë ai apokalips dixhital.
Do të më dukej edhe mua që e keqja e gatuar pas shpinës së popullit është e tmerrshme dhe se e gjithë bota u bashkua, kanal më kanal, për të bashkuar atdheun tim të vogël kundër një investimi shkatërrues për breshkat dhe mjedisin.
Padiskutim, anulimi i një projekti kriminal që u trumpetua me nota ulëritëse për të vetmin ishull të Shqipërisë dhe për një zonë të mbrojtur do të më dukej më e pakta gjë që do të duhej të ndodhte.
E kam vënë veten vazhdimisht që të futem në këpucët e tjetrit, në anën e atij grupi njerëzish që mes asaj turme i ka çuar pasioni i sinqertë për zogjtë, dashuria për natyrën e virgjër dhe ideja për një Shqipëri ideale.
Këto burime të energjisë ambientaliste, të bashkuara me ndjesinë e hidhërimit që një numër, sado i vogël, shpërfill hallet e njerëzve për të dalë në rrugë. Por e vërteta është se dallimi mes meje dhe kujtdo në atë bashkësi protestuesish nuk është si duket nga Bulevardi.
Edhe unë besoj njësoj për rëndësinë e mjedisit, brishtësinë e mjedisit përballë njerëzve në pushtet. Jo thjesht mendoj njësoj, por që kur kam shkelur në zyrën e parë të shtetit kam bërë sa kam mundur kundër pisllëkut dhe për pastërtinë”, tha Rama.






