Përpjekjet diplomatike amerikane për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë rikthehen në qendër të vëmendjes. Të dërguarit e presidentit amerikan Donald Trump, Steve Ëitkoff dhe Jared Kushner, pritet të udhëtojnë këtë fundjavë në Moskë dhe Kiev, në një përpjekje të re për të çuar përpara negociatat për përfundimin e luftës. Lajmi është raportuar nga agjencia ruse TASS, ndërsa Reuters thotë se Kremlini nuk e ta konfirmuar zyrtarisht vizitën.
Kievi e ka konfirmuar pritshmërinë për takimin. Presidenti Zelensky tha se janë përcaktuar tashmë data paraprake dhe se përfaqësuesit e presidentit amerikan pritet të mbërrijnë në Kiev në ditët në vijim.
“Ne presim të takojmë përfaqësuesit e presidentit amerikan këtu në Kiev. Do të ketë një takim me ta në Moskë dhe në Kiev. E presim këtë takim në ditët në vijim. Është shumë e rëndësishme. Është e rëndësishme që Amerika të vazhdojë të jetë aktive”, u shpreh Volodymyr Zelensky, president i Ukrainës
Në Moskë, ndërkohë, qëndrimi është më i rezervuar. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, nuk pranoi të konfirmojë raportimet për vizitën e dy të dërguarve amerikanë.
“Jo, është e parakohshme të flasim për këtë ende. Mbetet, le të themi, vullneti i mirë i amerikanëve, të cilët janë të përgatitur të vazhdojnë përpjekjet e tyre të ndërmjetësimit. Ne mbetemi të gatshëm të kalojmë në një mënyrë paqësore të zgjidhjes dhe një rrugë paqësore drejt arritjes së qëllimeve tona”, tha Dmitry Peskov, zëdhësnës i Kremlinit.
Por pas këtij qëndrimi të kujdesshëm qëndrojnë edhe dallime të mëdha politike. Peskov tha se qëndrimi i Putinit për kushtet e një marrëveshjeje mbetet “i palëkundur”. Sipas Reuters, Moska kërkon që Ukraina të heqë dorë nga pretendimet mbi katër rajone të kërkuara nga Rusia dhe nga ambicia për t’u anëtarësuar në NATO. Kievi i kundërshton këto kushte, duke i konsideruar të barasvlershme me dorëzimin.
Megjithatë, sinjale më pozitive janë dhënë nga vetë Putin. Presidenti rus tha të enjten se ekziston mundësia për të arritur një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës, duke vlerësuar edhe rolin e vendeve që janë të gatshme të kontribuojnë në një zgjidhje, mes tyre Shtetet e Bashkuara dhe Kina.





