Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Mark Rutte, do të zhvillojë një vizitë në Uashington nga 8 deri më 12 prill, ku pritet të takohet me presidentin amerikan Donald Trump, në një moment tensionesh të rritura mes SHBA-së dhe aleatëve europianë.
Sipas njoftimit të NATO-s, Rutte do të zhvillojë bisedime të mërkurën e ardhshme me Trump, sekretarin e Shtetit Marco Rubio dhe sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth.
Vizita vjen pas kritikave të ashpra që Trump ka adresuar ndaj aleatëve europianë, si dhe paralajmërimeve të tij për një tërheqje të mundshme të SHBA-së nga NATO. Presidenti amerikan ka kundërshtuar qëndrimin e disa vendeve europiane për të mbajtur distancë nga konflikti i nisur nga SHBA dhe Izraeli kundër Iranit.
Nga ana tjetër, Rubio ka lënë të kuptohet se Uashingtoni mund të rishqyrtojë marrëdhëniet me NATO-n, duke shtuar pasigurinë mbi të ardhmen e aleancës.
Gjatë vizitës, më 9 prill, Rutte do të mbajë një fjalim dhe do të marrë pjesë në një diskutim publik të organizuar nga Ronald Reagan Presidential Foundation. Ndërsa nga 10 deri më 12 prill, ai do të marrë pjesë në takimin e Bilderberg Group, një forum ndërkombëtar që mbledh zyrtarë dhe figura të rëndësishme nga SHBA dhe Europa.





