Violand Braçellari, 43 vjeç, i akuzuar për vrasjen e efektivit të Policisë së Shtetit Enea Mekolli dhe plagosjen e kolegut të tij Edison Adri në fshatin Boden të Bashkisë Maliq, ka lënë Spitalin e Traumës, pasi gjendja e tij shëndetësore është stabilizuar.
Aktualisht, Braçellari ndodhet i shtruar në Spitalin e Burgut pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku po vijon trajtimin mjekësor nën masa të rrepta sigurie. Pas përfundimit të mjekimit, ai pritet të transferohet në një institucion të sigurisë së lartë.
Sipas të dhënave të hetimit, 43-vjeçari dyshohet se ka përdorur municion blindëshpues gjatë sulmit me armë automatike ndaj dy efektivëve të policisë. Si pasojë e të shtënave, Enea Mekolli humbi jetën pasi u godit nga pesë plumba, ndërsa Edison Adri mbeti i plagosur.
Ekspertiza e armës së sekuestruar ka konfirmuar se fishekët e përdorur ishin të tipit blindëshpues, çka, sipas hetuesve, ka rritur fuqinë shkatërruese të sulmit. Hetimet kanë nxjerrë gjithashtu se Braçellari konsiderohej person me rrezikshmëri të lartë dhe lëvizte vazhdimisht i armatosur.
Prokuroria e Korçës ka ngritur ndaj tij akuzat për vrasje të punonjësit të Policisë së Shtetit për shkak të detyrës, vrasje të mbetur në tentativë ndaj një punonjësi tjetër të policisë, mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve dhe kundërshtim me armë të punonjësve të Policisë së Shtetit.
/vizionplus.tv





