Presidenti rus Vladimir Putin, është i gatshëm t’i jap fund luftës në Ukrainë me një armëpushim të negociuar që njeh vijat aktuale të fushëbetejës, thanë katër burime ruse për agjencinë e lajmeve Reuters, duke theksuar se ai është i përgatitur të luftojë nëse Kievi dhe perëndimi nuk përgjigjen.

Tre nga burimet, të njohur me diskutimet në rrethin e Putinit, thanë se lideri veteran rus kishte shprehur zhgënjimin ndaj një grupi të vogël këshilltarësh për atë që ai i sheh si përpjekje të mbështetura nga perëndimi për të penguar negociatat dhe vendimin e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy për të përjashtuar bisedimet.

“Putini mund të luftojë për aq kohë sa të duhet, por Putini është gjithashtu gati për një armëpushim – për të ngrirë luftën,” tha një nga katër burimet për Reuters.

Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, në përgjigje të një kërkese për koment, tha se shefi i Kremlinit e kishte bërë të qartë vazhdimisht se Rusia ishte e hapur për dialog për të arritur qëllimet e saj, duke thënë se vendi nuk dëshiron “luftë të përjetshme”.

Peskov tha se Rusia nuk kishte nevojë për mobilizim dhe në vend të kësaj po rekrutonte kontraktorë vullnetarë në forcat e armatosura.

Mundësitë e një armëpushimi, apo edhe të bisedimeve të paqes, duken aktualisht të largëta.

Presidenti Zelensky ka thënë vazhdimisht se paqja me kushtet e presidentit Putin nuk është e mundur. Ai është zotuar të rimarrë territorin e humbur, duke përfshirë Krimenë, të cilën Rusia e aneksoi në vitin 2014. Ai nënshkroi një dekret në vitin 2022 që zyrtarisht shpalli çdo bisedë me Putinin “të pamundur”.

Një nga burimet parashikoi se asnjë marrëveshje nuk mund të ndodhte derisa presidenti Zelensky është në pushtet, përveç nëse Rusia e anashkalon atë dhe arrin një marrëveshje me Uashingtonin. Megjithatë, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, duke folur në Kiev javën e kaluar, u tha gazetarëve se nuk besonte se Putini ishte i interesuar për negociata serioze.

/vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *