Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një fjalim gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë, ku ka kritikuar edhe disa zëra brenda partisë, ndërsa ka folur për objektivin e integrimit europian të vendit.
Rama tha se brenda “familjes politike” ka edhe individë që flasin për një “Shqipëri të re” dhe që vënë në diskutim narrativën për procesin e integrimit në Bashkimin Europian, duke shtuar se pret që ata të paraqesin një projekt konkret.
Ai u shpreh se Partia Socialiste nuk duhet të udhëhiqet nga logjika e “klikimeve të ditës”, por nga përgjegjësia për të çuar Shqipërinë drejt objektivit strategjik të “Shqipërisë 2030 në BE”.
“Ka edhe intelektualë të familjes sonë politike që thonë se kjo karta e BE-së është e lodhur. Ka diçka që….. Të gjithë këta që kanë studiuar kartat e mia me kaq pasion i keni atje te sheshi i xhirimit. Kush nuk do të shkojë te sheshi i xhirimit të rrijë këtu në PS dhe të shohë mirë që nuk kam karta të mia. Karta e BE-së ka brenda edhe gjëra për ata që flasin në protestë për arsye genuine. Këta të fundit nuk janë më në protestë. Ne nuk jemi këtu për numrin e klikimeve të ditës. Jemi këtu për të fituar Shqipërinë 2030 në BE.
Se është edhe një thirrje “Për një marrëveshje të re për një Shqipëri të re” dhe kam parë që ka edhe shpirtra të humbur këtu në familjen tonë politike që duan një Shqipëri të re, mezi pres të na e sjellin draftin të shkruar. Jemi gati për një marrëveshje të re për një Shqipëri të re. Po kam frikë se drafti nuk do të vijë kurrë. Do të kritikohemi, do të sulmohemi, por kemi detyrim të mos zgjedhim rrugën më të lehtë, të mos zgjedhim të jemi popullorë kur duhet të jemi të përgjegjshëm. Ka kohë që nuk ndihem i zgjedhur për të qenë i pëlqyer. Më ka ikur ajo dëshirë. Nuk jemi për të qenë të pëlqyer, por të dobishëm. Shqipëria sot është në duart tona, nuk është një flamingo që merret zvarrë për t’u dukur bukur, është në një luftë me vetveten, dhe BE është Itaka jonë. Le të këndojnë sirenat, atë punë kanë, kemi detyrë të çojmë Shqipërinë te ai breg me çdo kusht. Në këtë rrugë do të na dalin shumë të tjerë anash, përballë. Kemi fakte sa të duash, falë algoritmit vijnë mercenarë digjitalë edhe nga vende që ti nuk e mendon se ishe shënjestër e tyre. Ne nuk kemi punë me asnjë prej tyre, në kuptimin që të intimidohemi apo kompleksohemi. Kjo është rruga më e vështirë, është rruga ime, e jona e PS-së..”
/vizionplus.tv





