I dërguari i presidentit të SHBA-së dhe ministri i Jashtëm i Iranit kanë udhëtuar për në Zvicër për bisedimet e paqes, raportojnë mediat e huaja.
Bisedimet, të udhëhequra nga Steve Witkoff dhe Abbas Araqchi, shënojnë një përpjekje për ta shndërruar paktin e përkohshëm prej 14 pikash të kësaj jave në një marrëveshje rajonale të qëndrueshme për t’i dhënë fund luftës që Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën më 28 shkurt.
Por vetëm disa orë pasi armëpushimi hyri në fuqi në Liban midis Izraelit dhe grupit militant Hezbollah të mbështetur nga Irani, sulmet ajrore izraelite dhe sulmet me dronë vranë të paktën pesë persona në jug të vendit, njoftoi media shtetërore libaneze.
Avionët luftarakë dhe dronët izraelitë nisën një seri sulmesh në të gjithë zonën e Nabatiehut gjatë natës të cilat zgjatën deri në mëngjesin e së shtunës. Ndërprerja e luftimeve në Liban është kusht për fillimin e bisedimeve SHBA-Iran për të zgjidhur mosmarrëveshjet mbi programin bërthamor të Iranit dhe çështje të tjera të vështira të nevojshme për të krijuar një marrëveshje më të qëndrueshme.
Armëpushimi në Liban hyri në fuqi rreth orës 16:00 të premten, tha një zyrtar i lartë amerikan. Një zyrtar i lartë izraelit konfirmoi armëpushimin, ndërkaq Hezbollahu ende nuk e ka konfirmuar, por sekretari i saj i përgjithshëm, Sheikh Naim Qassem, tha se projekti për të eliminuar Hezbollahun ka dështuar.





