Kryeministri Edi Rama ka vijuar në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë me një deklaratë të fortë mbi ndikimin e rrjeteve sociale dhe algoritmeve në formësimin e opinionit publik.
Duke folur për mënyrën se si, sipas tij, përmbajtjet në internet shpesh kthehen në “të vërteta” pavarësisht mungesës së fakteve, Rama solli si shembull edhe pretendime që, sipas tij, janë përhapur në rrjet ndaj tij personalisht.
“S’kam qenë kurrë në Aruba. S’kam dërguar kurrë njeri të shkojë në Aruba. Por Aruba është bërë e vërtetë. Është nxjerrë në fushën e algoritmit dhe është bërë e vërtetë. Siç është bërë e vërtetë që unë jam konsumator kokaine. “Drogagji” është një refren që më ndjek si e vërtetë. Siç është bërë e vërtetë që kam akuzuar tim atë për marrëdhënie me time shoqe dhe për atësinë e djalit tim. Algoritmi këtë gjë e ka bërë të vërtetë. Siç është bërë e vërtetë që unë jam një kusar që marr pjesën time nga çdo gjë që ndodh në Shqipëri. Çfarë rëndësie ka çfarë them unë? Prandaj nuk e them këtë rregullisht, sepse nuk ka vlerë. Nuk jemi më në një marrëdhënie sociale. Jemi në një laborator ku në kohë reale algoritmi, viraliteti, simbolika dhe gënjeshtra prodhojnë një realitet paralel që është bërë e vërteta. Faktet janë përpjekje të dëshpëruara për të mohuar të vërtetën”, tha Rama.
/vizionplus.tv





