Subscribe

Ekonomia është karakterizuar nga pesimizmi në tre mujorin e 4 të vitit që lamë pas. Banka e Shqipërisë ka publikuar vrojtimin e besimit të biznesit dhe konsumatorit, nga ku ka rezultuar se ka një rritje të pesimizmit.

 

Rënia e besimit është konstatuar në shërbime, tregti dhe industri. Këta sektorë vijojnë të mos shfrytëzojnë plotësisht kapacitet e tyre, ndërkohë besimi u përmirësua në degën e ndërtimit dhe tek konsumatorët.

 

Sipas Bankës Qendrore treguesi i ndjesisë ekonomike qëndroi në nivelin e 100.2 me një rënie prej 1.2 pikë gjatë tremujorit ë fundit të 2018. Por pavarësisht kësaj rënieje, ky tregues vijon të jetë mbi mesataren e tij afatgjatë.

 

Rënia e besimit në sektorin e industrisë erdhi për shkak të mungesës së prodhimit, e kontratave porositëse si dhe gjendjes financiare të kompanive të cilat nuk ishin në nivele të kënaqshme.

 

Edhe sektori i shërbimeve kishte bilanc negativ, për shkak të kërkesës së ulët.

 

Rënien më të madhe të besimit e ka shënuar sektori i tregtisë, për shkak të mungesës së likuiditeteve të kompanive, ecurisë se dobët të punësimit, si dhe normës së ulët të shfrytëzimit të kapaciteteve.

 

Por e kundërta ka ndodhur me ndërtimin. Në këtë degë numri i lejeve të dhënave, si dhe kontratat porositëse ndikuan pozitivisht në rritjen e besimit.

 

Situatë optimiste ka qenë edhe për konsumatorët të cilët kanë rezultuar me një besim të përmirësuar sa i përket të ardhurave dhe shpenzimeve. Por pavarësisht këtij fakti, qytetarët janë skeptikë për situatën e përgjithshme ekonomike që shënoi rënie.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *