Më shumë se 1500 persona janë arrestuar në SHBA që nga 18 prilli në universitetet ku kanë shpërthyer përleshje të dhunshme mes protestuesve pro-palestinezë dhe kundër-demonstruesve nën hijen e luftës në Rripin e Gazës.

Ndërsa protestat pro-palestineze kanë shpërthyer në kampuset e kolegjeve në të gjithë vendin, autoritetet policore vazhdojnë të arrestojnë protestuesit – përfshirë studentë dhe pedagogë.

Sipas CNNi më shumë se 400 protestues u arrestuan të martën. Midis tyre, policia tha se rreth 30 u arrestuan në Universitetin Columbia dhe City College të Nju Jorkut.

Universiteti i Kalifornisë anuloi mësimet të mërkurën dhe u bëri thirrje njerëzve të shmangin zonën ku një natë më parë pati përleshje mes dy grupeve protestuese, pro-palestineze dhe pro-izraelite. Biblioteka e shkollës nuk do të rihapet deri të hënën dhe salla ‘Royce’, për të cilën autoritetet thanë se ishte vandalizuar, do të mbahet e mbyllur deri të premten.

Universiteti ka vendosur oficerë të zbatimit të ligjit në të gjithë hapësirat e universitetit. Protestat nëpër universitetet amerikane filluan në Universitetin ‘Columbia’ si reagim ndaj ofensivës së Izraelit në Gazë dhe pasi Hamasi kreu një sulm terrorist në pjesën jugore të Izraelit më 7 tetor. Militantët vranë rreth 1200 njerëz, shumica prej tyre civilë dhe morën afërsisht 250 pengje.

Duke u zotuar se do të zhdukë Hamasin, Izraeli ka vrarë më shumë se 34,000 palestinezë në Rripin e Gazës, sipas Ministrisë së Shëndetësisë atje që kontrollohet nga Hamasi.

Disa studentë hebrenj, Izraeli dhe mbështetësit e tij i kanë cilësuar protestat universitare si antisemite, ndërsa kritikët e Izraelit thonë se akuzat bëhen për të heshtur kritikat. Ndonëse disa protestues janë filmuar duke bërë komente antisemite ose kërcënime të dhunshme, organizatorët e protestave, disa prej të cilëve janë hebrenj, thonë se kjo është një lëvizje paqësore që synon mbrojtjen e të drejtave palestineze dhe proteston kundër luftës./vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *