Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se bota duhet të bëjë më shumë për t’u përgatitur për një pandemi të mundshme të koronavirusit.

 

OBSH-ja tha se është ende herët që shpërthimi i koronavirusit të trajtohet si pandemi, por shtoi se vendet “duhet të jenë në fazën e përgatitjeve”.

 

Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person në shumë pjesë të botës.

 

Koronavirusi i ri, i identifikuar si Covid-19, besohet se e ka origjinën në provincën Hubei të Kinës. Rastet e para atje janë shfaqur në dhjetor të vitit të kaluar. Në Kinë tashmë janë 77,000 njerëz të prekur nga ky koronavirus, ndërsa afro 2,600 pacientë kanë vdekur.

 

Koronavirusi është përhapur edhe në rreth 30 vende të tjera të botës, ndërsa në Evropë, Italia ka numrin më të madh të rasteve.

 

Shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, u tha gazetarëve të hënën se numri i rasteve të reja, të raportuara ditëve të fundit në Iran, Itali dhe Korenë e Jugut është “thellësisht shqetësues”.

 

“Për momentin nuk jemi dëshmitarë të përhapjes së pakontrolluar globale të këtij virusi… A ka ky virus potencial pandemik? Absolutisht që ka. A jemi ende atje? Nga vlerësimi ynë, jo ende”, tha Ghebreyesus.

 

Koronavirusi shkakton simptome të ngjashme me pneumoninë.

 

Ende nuk ka vaksinë për të./ REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *