Subscribe

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka publikuar këtë të diel një plan me 5 pika, për të cilat thotë se do të shërbejnë për të dalë nga emergjenca.

Ai propozon që të kryhen sa më shumë testime për të identifikuar sa më shpejt të prekurit me COVID-19, të bëhet gjurmimi i burimit dhe i kontakteve, të sigurohen mjete dhe pajisje për personelin shëndetësor, të krijohet një sistem i saktë i matjes së impaktit që kanë masat e marra. Po ashtu i kërkon qeverisë që të mbështesë me fonde dhe lehtësira mënyrën e re të funksionimit të ekonomisë.

“5 PIKAT E PLANIT

PLANI I DALJES NGA EMERGJENCA

1. SA MË SHUMË TESTIME
Sa më shumë persona të testuar, aq më shpejt identifikohen të prekurit dhe ndalohet përhapja e COVID-19. Bllokimi i ekonomisë dhe popullsia në karantinë kanë kosto shumë më të lartë sesa testimi i qytetarëve.

2. GJURMIMI I BURIMIT DHE I KONTAKTEVE
Duhet bërë gjurmim i plotë i burimit dhe i kontakteve të të prekurit. Testimi i mjekëve, policëve e personave në vijën e parë. Kjo kërkon burime njerëzore, trajnimin dhe përdorimin e kapaciteteve lokale shëndetësore.

3. MBËSHTETJE PËR SHËNDETËSINË
Të sigurojmë mjetet dhe pajisjet për personelin shëndetësor. Të garantojmë që kapacitetet tona shëndetësore të përballojnë fluksin e personave që kanë nevojë për trajtim.

4.MATJET DHE MENAXHIMI I SITUATËS
Duhet një sistem i saktë i matjes së impaktit që kanë masat e marra.
Nëse ne e dimë çfarë impakti kanë ato – ulin, mbajnë konstant apo rrisin numrin e të infektuarve -atëherë do të kemi mundësi të reagojmë menjëherë në menaxhimin e situatës, duke i shtrënguar apo lehtësuar më shumë masat e marra.

5.TRANZICIONI DREJT HAPJES SË EKONOMISË
Rifillimi kërkon përshtatjen me realitetin e ri. Qytetarët dhe bizneset do duhet të mësohen të funksionojnë në kushtet e distancës 1,5 m.
Sa më shpejt të adoptohet kjo mënyrë e re aq më shpejt mund të rifillojë ekonomia dhe të reduktohet karantina. Qeveria duhet të mbështesë me fonde dhe lehtësira mënyrën e re të funksionimit të ekonomisë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *