Duket se marrëdhënia e presidentit Donald Trump me mediat nuk ka asnjë shpresë për t’u përmirësuar. Ka qenë prestigjiozja New York Times ajo që ka nxitur sërish zemërimin e presidentit amerikan. gazeta ka bërë publike listën me rreth 60 pyetje të prokurorit të posaçëm Robert Muller i cili kërkon përgjigjet e Trump për lidhjet e tij si dhe nëse ka pasur përpjekje për të penguar hetimin.

 

“Është e turpshme që pyetjet në lidhje me këtë gjueti shtrigash rrjedhin në media. Nuk ka bashkëpunim të fshehtë me rusët, ky është një krim i sajuar dhe i paqenë. Është një hetim që fillon me rrjedhjen e paligjshme të një informacioni të klasifikuar.”

 

Shumë nga pyetjet e zbuluara nga Nju York Times mbi çështjen e pengimit të drejtësisë, kanë të bëjnë me reagimin e Presidentit lidhur me faktin që Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions vendosi të heqë dorë nga mbikqyrja e hetimit për Rusinë.

 

Pyetjet gjithashtu lidhen me ndërhyrjen ruse dhe nëse fushata e zotit Trump ka koordinuar disa veprime të saj me Kremlinin.

 

Presidenti Trump ndërkohë, në mënyrë të përsëritur e ka quajtur hetimin e prokurorit të posaçëm Robert Mueller një “gjueti shtrigash” dhe këmbëngul se nuk ka patur asnjë bashkëpunim të fshehtë midis fushatës së tij dhe Rusisë.

 

Ai gjithashtu ka akuzuar drejtorin e shkarkuar të FBI-së James Comey për rrjedhje të informacionit të klasifikuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *