Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit hap më 27 gusht thirrjen për aplikim për 300 kredi me 0% interes, të dedikuara për punonjësit e administratës publike për blerjen e një banese. Aplikimet do të qëndrojnë të hapura deri më 25 shtator 2026.
Programi parashikon financimin e blerjes së banesës sipas çmimit të referencës, ndërsa sipërfaqja e banesës përcaktohet në përputhje me certifikatën familjare.
Kredia ofrohet me 0% interes, duke synuar lehtësimin e aksesit në strehim për punonjësit e administratës publike që plotësojnë kushtet e përcaktuara nga legjislacioni për strehimin social.
Në kuadër të kësaj thirrjeje janë në dispozicion gjithsej 300 kuota, të ndara në pesë institucione dhe struktura.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka 70 kuota, Ministria e Mbrojtjes 70 kuota, Ministria e Arsimit 70 kuota, Ministria e Punëve të Brendshme 70 kuota, ndërsa Policia e Burgjeve/Ministria e Drejtësisë përfiton 20 kuota.
Për të përfituar nga kjo skemë, aplikanti duhet të jetë i punësuar në administratën publike, sipas përcaktimeve të ligjit “Për strehimin social”. Gjithashtu, nuk duhet të ketë banesë në pronësi ose në proces legalizimi, përveç rastit kur banesa ekzistuese është nën normat e strehimit.
Një tjetër kriter është që aplikanti të mos zotërojë pasuri të paluajtshme apo të luajtshme me vlerë mbi gjysmën e vlerës së banesës që synon të blejë përmes kredisë së lehtësuar. Përfituesit nuk duhet të jenë gjithashtu pjesë e programeve të tjera të strehimit social.
Aplikimi do të kryhet online përmes platformës e-Albania, duke nisur nga 27 gushti dhe deri më 25 shtator 2026.
Dokumentacioni, procedura e aplikimit dhe kriteret e plota të përfitimit janë përcaktuar në udhëzuesin përkatës të thirrjes.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit fton punonjësit e administratës publike që plotësojnë kriteret të aplikojnë brenda afatit të përcaktuar për të përfituar nga skema e kredive me 0% interes për blerjen e banesës.





