Ministri i Bujqësisë, Bledi Çuçi shprehet se ndryshimet në ligjin “Për Ushqimin” që u miratuan sot në Kuvend, i hapin rrugë institucionit të AKU-së.

 

Teksa jepte më shumë detaje rreth projektligjit, Çuçi tha gjatë seancës plenare se AKU nuk mund të vazhdojë më të identifikohet si një institucion i masave represive, që vetëm vendos gjoba e aplikon ndëshkime ndaj operatorëve të biznesit ushqimor.

 

Sipas tij, AKU-ja e re duhet të ketë një rol tjetër karshi biznesit dhe konsumatorëve.

 

“Sfida jonë është ta shndërrojmë në një strukturë inteligjente, me burime njerëzore të kualifikuara. Do të ndërmarrim një fushatë rekrutimi dhe trajnimi të punonjësve të rinj së bashku me Autoritetin e Kontrollit të Ushqimit në Irlandë, i cili është ‘binjakëzuar’ me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit tek ne, kuadër të projektit të financuar nga Bashkimi Europian për sigurinë ushqimore.”

 

Ndër të tjera, ministri pohoi se me ndryshimet ligjore do të forcohet edhe roli i Drejtorisë së Vlerësimit të Riskut bazuar në vlerësime shkencore dhe të dhëna historike. Po ashtu, do të shmangen kontrollet e dyfishta për operatorët e biznesit ushqimor edhe nga inspektorët e AKU-së edhe nga inspektorët e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor.

 

“Rreth 15 mijë OBU lehtësohen nga ky kontroll i dyfishtë, që shpesh linte vend edhe për abuzim. Ulja e barrës së inspektimit nga dy institucione për të njëjtin subjekt apo çështje, shmang mundësinë për abuzim. Për herë të parë do të aplikohet një lehtësim në sistemin e vetëkontrollit, ku subjektet me risk të vogël do të përjashtohen nga kontrollet me të njëjtat kritere si bizneset e mëdha. Kjo i jep frymëmarrje prodhuesve të vegjël. Natyrisht duke mos cenuar këtu parimet bazë të kushteve higjeno-sanitare dhe standardeve të sigurisë ushqimore.  AKU-biznes-konsumator është një trekëndësh shumë i rëndësishëm, dhe ndërveprimi sa më i mirë mes tyre na garanton produkte të sigurta në tregjet tona. AKU-ja e re do të jetë një institucion më dinamik, më inteligjent, më transparent dhe do të adresojë siç duhet sfidat e kohës, duke patur më së shumti në fokus fenomenet që shqetësojnë sot konsumatorët dhe operatorët e biznesit ushqimor.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *