Ministria e Mbrojtjes njofton se 27 vatra zjarri janë raportuar në të gjithë vendin, ndërsa 8 prej tyre vijojnë të jenë aktive.
Situata më problematike paraqitet në qarkun e Lezhës, ku zjarri në zonën Kalivaç–Zimaj–Kashnjet ka detyruar autoritetet të evakuojnë banorët.
Forcat zjarrfikëse, ushtria dhe helikopterët e Forcës Ajrore vijojnë operacionet për shuarjen e flakëve dhe mbrojtjen e zonave të banuara.
NJOFTIMI:
Sipas informacionit operacional të datës 03.09.2026, ora 20:00, situata e zjarreve në vend vijon të menaxhohet me angazhim të koordinuar të strukturave vendore dhe qendrore.
Janë raportuar 27 vatra zjarri, prej të cilave 17 janë shuar plotësisht, 2 janë nën mbikëqyrje dhe 8 mbeten aktive.
Në operacione janë angazhuar 265 forca operacionale dhe 38 automjete zjarrfikëse, të mbështetura nga 170 forca ushtarake dhe 3 automjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura, ndërsa helikopterët e Forcës Ajrore kanë ndërhyrë në 4 operacione.
Vëmendja kryesore është përqendruar në qarqet Dibër, Lezhë, Tiranë dhe Shkodër.
Në Dibër, operacionet vijojnë në Vajkal, Lundre–Madhesh dhe Mallunxë–Lis, me angazhim të konsiderueshëm të forcave tokësore dhe mbështetje ajrore në zonat e Matit; në këto vatra nuk raportohen rreziqe për zonat e banuara.
Në Dajt, pavarësisht riaktivizimit të një vatre, janë angazhuar 60 forca dhe nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Situata më problematike paraqitet në qarkun Lezhë, veçanërisht në zonën Kalivaç–Zimaj–Kashnjet, ku u realizua evakuimi i banorëve dhe ndërhyrja u përforcua me 2 helikopterë të Forcës Ajrore, 50 forca ushtarake dhe 3 automjete zjarrfikëse, krahas strukturave vendore.
Ndërkohë, në Mnelë të Vogël, Vau i Dejës, intensiteti i zjarrit është ulur dhe rreziku për zonat e banuara është shmangur, ndërsa vijon puna për shuarjen përfundimtare.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.
/vizionplus.tv





