Një 72-vjeçar në Korçë që u infektua me Virusin e Nilit Perëndimor duke regjistruar kështu rastin e parë me këtë sëmundje në vendin tone, është në gjendje stabël. Mjekja epidemiologe Adela Vasili sqaroi se aktualisht nuk ka raste të tjera të konfirmuara apo dyshuara.
“Personi që është rast i parë për këtë vit në Shqipëri është nën kujdesin e mjekëve në Spitalin Rajonal të Korçës dhe gjendja e tij shëndetësore është stabël. Në lidhje me situatën epidemiologjike nga survejanca e sëmundjeve infektive në vend ne nuk kemi raste të reja të konfirmuara apo të dyshuara me Ethet e Nilit Perëndimor”, tha Adela Vasili, mjeke epidemiologe, ISHP
Vasili theksoi se kjo sëmundje transmetohet përmes mushkonjave të infektuara dhe jo nga njeriu te njeriu.
“Ethet e Nilit Perëndimor është sëmundje që transmetohet nëpërmjet mushkonjave të cilat janë bartëse të virusit të cilët e marrin nga zogjtë apo kuajtë e infektuar. Mushkonja është e pranishme në vendin tonë . Zonat bregdetare kanë pasur risk për praninë e kësaj mushkinje dhe vazhdon dezinsektimi. Dihet që Instituti i Shëndetit Publik ka një program për dezinsektimin dhe konsiston pikërisht në luftën kundër mushkonjave në periudha të caktuara të vitit”, shtoi Vasili.
Simptomat e para janë të ngjashme me ato të gripit, ndërsa në raste të caktuara sëmundja mund të shfaqet në forma më të rënda, kryesisht te personat mbi 60 vjeç, ata me sëmundje kronike apo me imunitet të ulët.
“Shenjat janë të një gripi të lehtë dhe kjo përbën 80% të rasteve dhe vetëm 20% të rasteve janë shenja të cilat mund të tregojnë një sëmundje të rëndë. Personat të cilët e shfaqin në formën më të rëndë janë personat të cilët janë mbi moshën 60-vjec, të cilët kanë imunitet të ulët apo personat që mund të kenë bërë transplante apo ndërhyrje të rënda”, tha mjekja.
Për të ulur rrezikun e infektimit, mjekët këshillojnë përdorimin e produkteve kundër pickimit të mushkonjave, eliminimin e ujërave të ndenjura, mbajtjen e ambienteve të pastra dhe menaxhimin e mbetjeve.





