Nis gjykimi për ish-numrin dy të qeverisë, Arben Ahmetaj, nën akuzë për shpërdorim detyre me dosjen “Buka”. Por që nga korriku i 2023, ish-zëvendëskryeministri është arratisur nga vendi.
Tanimë ai është lokalizuar. Në seancën e parë Gjykata e Posaçme lexoi shkresën e zyrës së Interpolit se Arben Ahmetaj ndodhet në Zvicër, vend nga ku kërkohet edhe ekstradimi i tij. Kjo është hera e parë që Ministria e Drejtësisë zyrtarizon kërkesën për rikthimin e ish-numrit dy të qeverisë, në atdhe.
Prokurori i Posaçëm, Elvin Gokaj tha se Ahmetaj ka shpërdoruar detyrën me privatizimin e shoqërisë Buka Sha. Përmes këtij veprimi, Arben Ahmetaj lejoi që tek prona e një familjeje të ndërtohet një kompleks pallatesh.
Për këtë dosje Prokurori kërkon që të pyeten 14 dëshmitarë.
Ndërkohë gjatë hetimit SPAK ka rënë në kontakt me një shumë të madhe parash prej 3 milionë eurosh, të cilat janë transferuar nga Shqipëria në Austri.
Transferues është Lirim Fezollari, personi që përfitoi nga privatizimi i trojeve ku dikur ishte ndërtuar fabrika e bukës. Prokurori ka dyshime se në fakt përfituesi final i kësaj shume ishte Arben Ahmetaj, ndaj për këtë çështje ka çelur një tjetër procedim penal për korrupsion dhe pastrim parash.
Hetimet për ish-numrin dy të qeverisë për këtë vepër penale kanë filluar pas kallëzimit të bërë nga familja Myderizi në vitin 2018, e cila është dëmtuar në këtë proces, si trashëgimtare e pronës së paluajtshme.
Aktualisht, ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj është në kërkim ndërkombëtar për tri vepra penale korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie me inceneratorin e Elbasanit./vizionplus.tv





