Një oligark rus ka bërë një postim të ashpër për luftën e presidentit Vladimir Putin ndaj Ukrainës.

 

Teksa ka shkruar në Instagram, Oleg Tinkov tha se pushtimi rus i Ukrainës dhe “lufta e çmendur” që ka pasuar, nuk ka asnjë përfitim. Këto janë deklarata të rralla nga miliardët e Rusisë, të cilët kanë krijuar pasurinë e tyre gjatë sundimit të Putinit dhe kryesisht kanë qëndruar të heshtur qëkur Moska ka nisur atë që e quan “operacion të posaçëm ushtarak” më 24 shkurt.

 

“Nuk shoh asnjë përfitues të kësaj lufte të çmendur! Njerëz të pafajshëm dhe ushtarë po vdesin”, shkroi ai në postimin e 19 prillit, që tashmë ka mbledhur mbi 120,000 pëlqime.

 

Komentet e Tinkovit vijnë teksa forcat ruse kanë përqendruar operacionet e tyre në lindje dhe jug të Ukrainës, kryesisht përgjatë bregdetit të Detit të Zi. Gjatë pushtimit të tyre, forcat ruse janë akuzuar nga Human Rights Watch dhe të tjerë se kanë kryr krime lufte dhe mizori në rajonet e Çernihivit, Harkivit dhe Kievit. Si pasojë e pushtimit, mbi 5 milionë ukrainas janë larguar nga vendi.

 

Tinkov, që sipas Indeksit të Miliarderëve të Bloomberg, ka pasuri prej 3.5 miliardë dollarësh, është një prej pak oligarkëve që kanë shprehur shqetësimet lidhur me pushtimin e Moskës. Ai po ashtu është në mesin e oligarkëve që është sanksionuar nga Perëndimi, sanksione që kanë për qëllim t’i bëjnë presion Kremlinit dhe personave përreth Putinit.

 

Muajin e kaluar, miliarderi Oleg Deipaska, që njihet për lidhjet e tij të ngushta me Putinin, shkroi në Twitter se lufta në Ukrainë duhet të ndalet sa më shpejt që të jetë e mundur.

 

Por, kritikat e Tinkovit janë më të thella.

“Gjeneralët po zgjohen me kokëdhimbje dhe po e kuptojnë se kanë një ushtri të katranosur”, shkroi Tinkov, duke shtuar se me nepotizmin e shfrenuar që ka “katranosur gjithçka tjetër në shtet”, gjendja në të cilën gjendet ushtria ruse nuk duhet të jetë befasi.

 

“Zyrtarët e Kremlinit janë të shokuar që jo vetëm ata, por as fëmijët e tyre nuk do të mund të shkojnë në Mesdhe gjatë verës. Biznesmenët po tentojnë të shpëtojnë pronat e mbetura të tyre”, shtoi ai.

 

Tinkov po ashtu sulmoi “budallenjtë” që po përdorin simbolin “Z” – simbol ë është përdorur nga forcat ruse për të shënjuar makinat e tyre ushtarake – teksa tha se kjo pjesë e shoqërisë përfaqëson vetëm 10 për qind të shtetit pasi, sipas tij, 90 për qind e rusëve “janë kundër kësaj lufte”.

 

“I dashur Perëndim, ju lutem jepni zotit Putin një dalje që ta shpëtojë fytyrën e tij dhe ta ndalë këtë masakër”, shkroi ai në fund të postimit të tij./R.E.L

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *