Gjyqtari i Apelit të Posaçëm, Florjan Kalaja ishte i ftuar këtë të martë në studion e QUO VADIS në Vizion Plus.
Kalaja foli mbi reformën në drejtësi dhe ndryshimet e sjella pas vitit 2016, duke e cilësuar procesin si të nevojshëm për krijimin e një sistemi më të pavarur gjyqësor.
Ai u shpreh se pavarësisht vlerësimeve pozitive apo negative që mund të ketë reforma, ndërtimi i institucioneve të reja ishte i domosdoshëm për forcimin e pavarësisë së gjyqtarëve.
Kalaja: Kam shkruar në vijimësi duke komentuar amendamentet apo gjithçka që mund të shkonte keq, sepse jo gjithmonë periudha kohore e parashikuar në ligje u përkoi me atë që ndodhte në realitet për shumë arsye. Unë mendoj që, në fakt, i gjithë ky proces, pavarësisht se mund të ketë vlerësime negative apo pozitive, pasi askush nuk e ka monopolin e së vërtetës absolute, ka qenë krejtësisht i nevojshëm. Mendoj se ndërtimi i institucioneve nën konturin që solli Kushtetuta e vitit 2016 dhe ligjet organike, ka qenë shumë i domosdoshëm për të krijuar gjyqtarin e pavarur dhe mekanizmat e kontrollit ndaj tyre. Megjithatë, jo çdo gjë varet vetëm te ligji, ka edhe një komponent të vokacionit dhe kontributit personal të secilit në mënyrën se si e ndërton karrierën apo ushtron detyrën. I gjithë ky proces i gjatë, i cili për dikë mund të jetë i lodhshëm dhe dëshpërues, ndërsa për dikë tjetër shpresëdhënës, ka qenë i nevojshëm. E vetmja kritikë konstruktive që mund të bëhet lidhet me kohën e realizimit, në qoftë se ky proces do të kishte ndodhur më shpejt, do të ishte sigurisht më mirë për shoqërinë dhe për të gjithë aktorët e përfshirë.
/vizionplus.tv





