Subscribe

Bashkëpunimi në fushën e menaxhimit të ujit të pijshëm dhe trajtimin e ujërave të ndotura, duke shkëmbyer njohuritë dhe praktikat më të mira, ishte në thelb të memorandumit që Ujësjellës-Kanalizime Tiranë nënshkroi me Autoritetin Rajonal të Ujit ne Holandë.

 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Veliaj, theksoi se kjo marrëveshje shënon fillimin e një bashkëpunimi të gjatë për shkëmbimin e përvojave më të mira në fushën e shfrytëzimit të burimeve hidrike

 

 “Ky ishte viti i parë pozitiv për ujësjellësin, por misioni ynë është që gjithmonë të bëjmë më të mirën dhe besoj se edhe ky memorandum është një përpjekje për të bërë më mirë. Jo vetëm për të qenë ekipi më i mirë në Shqipëri, por të jemi konkurrues me çdo ujësjellës në Europë, që do të thotë që jo vetëm do të përmirësojmë infrastrukturën, por edhe burimet njerëzore.”

 

Duke njohur të pranishmit me potencialet ekonomike që ofron Tirana, Veliaj deklaroi se Bashkia është duke aplikuar për krijimin e një zone të lirë ekonomike, me synimin e tërheqjes së investimeve të kompanive të mëdha ndërkombëtare.

 

“Po aplikojmë për një zonë të lirë ekonomike pranë Kasharit, në jug të Tiranës. Është gati 80ha dhe vitin tjetër do ta kemi në funksion. Zakonisht ndodh që kompanitë e mëdha vijnë për biznes, por u duhet të flasin me shumë pronarë. Ndaj në momentin e parë që qyteti ka një zonë të lirë ekonomike, kompanitë e kanë më të lehtë të investojnë.”

 

Kryebashkiaku Veliaj ndodhet në Holandë me ftesë të Bashkisë së Amsterdamit për të ndjekur punimet e Javës Ndërkombëtare të Ujit, ku marrin pjesë ekspertë nga qytete të ndryshme të botës, të cilët diskutojnë mbi sfidat e burimeve ujore, ndryshimeve klimaterike dhe energjinë e gjelbër.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *