Subscribe

Ndërsa dialogu për reformën ne drejtësi është bllokuar per shkak te bojkotit 10 ditor te opozitës, Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani propozon nje organizim te ri te sistemit gjyqësor. Ai i ka dërguar një letër aktorëve kryesorë të sistemit të drejtësisë, ku shtjellon idenë e tij qe bazohet edhe ne studimin e bere nga organizata evropiane CEPEJ. Manjani thekson se Tirana ka ngarkesën më të madhe te punës, ndërsa në shumë rrethe njerëzit përballen me vështirësi në aksesin tek gjykatat. Ndaj ai propozon:Të krijohen 12 gjykata fakti në rrethet gjyqësore që korrespondojnë me territorin e qarkut. Nga ana tjetër, maksimalisht në çdo bashki dhe minimalisht aty ku ka ndërtesa gjykatash që sot funksionojnë, do të ofrohet shërbimi i gjykimit si sot. Pra, përqendrohet qendra e drejtimit të gjykatës së faktit, por është gjyqtari që shkon aty ku banojnë përdoruesit e gjykatës dhe jo e kundërta. Për ta ilustruar, çështjet që ngrihen për gjykim nga persona me banim në Bashkinë e Kavajës, do t’i marrin shërbimet në godinën e sotme të gjykatës atje, por gjykatësit do të caktohen me short nga gjykata e shkallës së pare që do ta ketë qendrën në Tiranë. Ideja e ministrit prek edhe Gjykatat e Apelit qe duhen reduktuar nga 6 ne 4. Duhet krijuar një gjykatë apeli që të mbulojë rajonin e Veriut me qendër në Shkodër, një gjykatë tjetër apeli që të mbulojë Shqipërinë e mesme me qendër në Tiranë, një gjykatë në Fier që të mbulojë Jugun dhe Jug-Perëndimin dhe një gjykatë në Korçë që të mbulojë Jug-Lindjen. Ky organizim sipas Manjanit, do t’i bëjë Gjykatat më efektive, pasi do të ulë ngarkesën e punës, si dhe konfliktin e interesit. Po ashtu, shkurtohet koha e gjyqeve dhe realizon shpërndarje më të mirë të burimeve njerëzore e financiare. Vetë ministri pranon se ky propozim do të provokojë shumë debat, por ai fton palët që të bëhen pjesë e tij. Nuk dihet nëse ky propozim do të bëhet pjesë zyrtare edhe e diskutimit te eksperteve që aktualisht e kanë drejt mbylljes draftin ligjor të reformës në drejtësi.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *