E diel, 18 Tetor 2026 Det i Trazuar deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Vendi

Kinematografia shqiptare në zi, ndërron jetë aktori i njohur

Ka ndërruar jetë në moshën 84 vjeçare Birçe Hasko, aktori i njohur i kinematografisë shqiptare.

Lajmin e trishtë e ka shpërndarë Mevlan Shanaj, i cili vlerëson figurën e kolegut dhe mikut të tij.

Reklamë

“Ka ikur Birçe Hasko.Ka ikur aktori që la pas një emër të nderuar, një emër të madh në kinematografinë shqiptare.Ka ikur njeriu që solli karakterin ” popullor” të jugut duke e bërë të pavdekshëm.Iku labi Birçe Hasko.Ka ikur njeriu që i dha emrin konkretësi  mjeshtrisë së interpretimit.Ka ikur ai që humorin dhe rreptësinë i kishte pronë të  karakterit.Lamtumirë Mik bashkëpunëtor ! NJERI”, shkruan Shanaj.

Hasko është një emër i njohur i estradës shqiptare. Në teatër ka interpretuar mbi 12 role. Roli i tij më i realizuar është ai i Milos në komedinë “Shi në plazh” shkruar nga Teodor Laço.

Reklamë

Po ashtu një kontribut të çmuar ka edhe në kinematografinë shqiptare, ku ka interpretuar me dhjetëra role. Roli i tij i parë në kinematografi është në vitin 1971 në rolin e ballistit në filmin “Kur zbardhi një ditë”. Më tej do të vazhdonin rolet e tij në shumë filma si ai i Mete Jahos tek filmi “Radiostacioni” në vitin 1979, roli i Syrjait në filmin “Skëterrë 43” në vitin 1980, roli i mesuesit në filmin “Gurët e shtëpisë sime” në vitin 1985 si dhe shumë role në filma të tjerë për të mbërritur në rolin e tij më të fundit në filmin “Kronikë Provinciale” në vitin 2009.

Në vitin 1995, merr titullin Profesor. Në vitin 1976, urdhri “Naim Frashëri”, klasi i dytë , në vitin 1988 “Artist i Merituar”. 18 Prill 1987, Medaljonin e Festivalit për interpretimin e rolit të Dajës në filmin “Dhe vjen një ditë” në Festivalin e VII-të të Filmit Shqiptar të zhvilluar në Tiranë nga data 13 deri në 18 prill të vitit 1987. 22 Prill 1989, Çmimi i III-të për interpretimin e rolit të Babait të Danës në filmin “Shkëlqim i përkohshëm” në Festivalin e VIII-të të Filmit Shqiptar të zhvilluar në Tiranë nga data 18 deri më 22 prill të vitit 1989.

Në vitin 2002 merr titullin “Mjeshtër i Madh” ne vitin 2007 shpallet “Qytetar Nderi” i Orikumit. Birce Hasko është aktor popullor në Shqipëri, ai ka lozur në më shumë se 30 filma.

Vazhdo të lexosh

Reklamë